Sipas një studimi të Institutit Gjerman për Studime Ekonomike, fëmijët e prekur nga varfëria sot janë më të rrezikuar nga sëmundjet në të ardhmen krahasuar me fëmijët nga familje me gjendje të mirë ekonomike.
Në qeverinë gjermane ka shpërthyer debati për fondin e sigurimit bazë për fëmijët. Pas refuzimit të fundit të ministres së Familjes, Lisa Paus të miratonte në qeveri “ligjin e shanseve të rritjes ekonomike”, që parashikonte lehtësime miliardash për sipërmarrjet për shkak se nuk kishte marrë fondet e duhura për ligjin e sigurimit bazë të fëmijëve ka pasur shumë reagime nga politika në Gjermani. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Lars Klingbeil e kritikoi grindjen e re të shpërthyer në koalicion. “Kjo më ka lenë pa fjalë, që menjëherë vazhdojmë me grindje”, tha Klingbeil duke iu referuar rifillimit të punës së kabinetit qeveritar gjerman pas pushimeve të verës, sipas tagesschau.
Ndërkohë pas një studimi të kryer së fundmi me porosi të organizatës humanitare Diakonie nga Instituti Gjerman për Studime Ekonomike, DIW del se fëmijët e prekur nga varfëria kanë një rrezik më të madh të kenë probleme shëndetësore dhe të jenë të paaftë për punë në të ardhmen, se ata nga familje me të ardhura të larta. Instituti ka llogaritur se “vetëm kostot e drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta në lidhje me obezitetin, që rritet si rrezik tek fëmijët e varfër kanë kapur në vitin 2016 shifrën e më shumë se 60 miliardë eurove”.



