E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Unë jam kundra t’keqes !

Nga Besart Ramiz Tafaj – student, Tiranë

N’koftë se mbrenda secilit prej nesh ka mbetë sa t’zitë e mâje-thonit dinjitet njerëzor, guxim, shpresë a sa t’zitë e mâje-thonit pikë uji n’sy , koha lyp prej nesh me u ba t’tan bashk sa jena , njish kundra t’keqes. T’tân e shohim me syt tanë t’keqen ka shkrryhet për shtatë palë qefe n’përdhosjen e n’përbaltjen e nderit tonë . T’tân pa përjashtim e shohim k’të , por pak janë ata që kanë edhe gojë të flasin, t’guxojnë e t’bërtasin me të madhe kundra t’keqes së kanosune . Ndoshta si kurrë ma parë e keqja këtij vendi i âsht ngjit ma keq se halja n’llastyke . I ka hy dej n’palcë dhe për fat t’keq âsht pak zor me e nxjerr , por megjithatë asgjâ nuk âsht e pamujtune.

T’a pranojmë se për gjithë kët’ liri, për autoritetin dhe autonominë e t’keqes fajtor jem vet nâ sepse ajo , e keqja pra prej nesh mbini dhe nâ i dhamë krahë për t’fluturue n’vend se me ia prè me kohë e mos me lanë me çue krye. Faji âsht i joni sepse gabimin kurrë nuk e kthyem në mësim, por vazhduem qorrazi nga gabimi n’gabim e për këtë e paçim veten në qafë. Na i dhamë zemër t’keqes së këtij vendi, i dhamë kurajo edhe ma shumë me duartrokitjet tona, me heshtjen tonë , me durimin tonë t’tepruem dhe ajo u fuqizue dah edhe ma fort.

E shkuemja e t’parve t’tanë lyp me ia kthye dinjitetin e përdhosun . Lyp lavdinë e shkërdhyeme pamëshirshëm prej t’keqes . Lyp emnin e njollosun me turp prej t’keqes që na i dhamë t’drejt me ba çka t’donë.

E tashmja lyp pshtim për ekzistencë sepse dej këtu, tek dilema hamletiane ka ardhë puna , me kanë a mos me kanë …?? Lyp prej nesh reagimin e t’tânve pa asnji përjashtim e jo vetëm t’disave , kundra t’kqijave t’keqes.

Sepse e keqja si argáti ma i mirë i dreqit ka arritë deri në atë pikë sa don me shkatrrue çdo gja që ka vlerë . E keqja n’gjak ka antivleren dhe vleren e ka tmerr me e pa , pa leje mâ zhvillimin e saj që e çmend krejt . Falë punës së mbrapsht të s’keqes ky vend po shkrihet siç shkrihet nji qiri kadal e kadal, kur digjet prej flaks përvluese.

E keqja nën frymën orëkeqe t’dreqit po punon orë e dakikë se si me e përhapë padijen, se si me e ba ma t’pasigurtë kët’ vend , se si me e varfnue edhe ma shumë kët’ vend t’pasun kah tana anët , se si me e smu tuj kanë shnosh e me e ba si mos me mujt me lujt vendi e mbi t’tana se si me e shprazë prej njerzve e me çkretnue si mos ma keq.

E keqja punon tuj u tallë me ne për çdo ditë si falë Zoti , se si me e shèmb e me shkatrrue çdo gja dhe me ndertue t’kqijat e veta që i shkojnë për shtat asaj . E keqja s’ka kulturë ndaj po punon fort e ma fort se si me çkulturue kët’ vend plot kulturë.

E çka âsht ma e keqja , se e keqja punën ma të madhe po e ban me shpëlarjen dhe tredhjen e trunit të t’rinjve me demagogjitë e dreqit që këta t’mos jenë t’aftë me çue krye kundra saj. I ban mburojë për vetëmbrojtje dhe po ia del këtij qëllimi .

E keqja po lidhavisë e po lue arushë ndër ne e nâ gojëmshelun rrimë e bajmë sehir tuj kalue nji ditë n’tjetrën me shpresën e dekune e qorre, hajt se bahet mirë .

Koha lyp prej nesh me u çue prej gjumit sa s’ka perendue hala mirë dielli i shpresës dhe na duhet me iu bindë kohës dhe arsyes se e keqja âsht e keqe dhe se s’muj t’bahet kurrë e mirë e prej saj punë të mira s’muj t’priten.

E ardhmja ka me na lypë llogari nja për nja sepse po vëm n’pikëpyetje t’madhe ardhjen e saj. Dhe na s’do kem fytyrë me i dalë përpara, pa leje me i thanë gja. Vonë nuk âsht kurrë me hjek dorë prej t’keqes e me ba kthesë kah e mira.

Unë tuj nisë kah vetvetja pa frikë muj me thanë se përmes këtyne rreshtave jam dy herë i fituem e asnjihere i humbun . Fitorja e parë âsht nëse këto fjalë bien në vesh të atyne që dëgjojnë dhe fjala vazhdon rrugëtimin për kah qëllimi i saj.

Dhe fitorja e dytë âsht se unë pajtohna me arsyen teme n’mospajtim me të keqen , qoftë edhe nëpërmjet fjalës. Sepse fjala àsht e para dhe t’tjerat vijnë mbrapa.

Rrethanat e çrrethueme e prunë punën deri në pikën e mundësisë së dyzgjedhjeve: o çoje krye kundra t’keqes dhe t’kqijave të saj, o nji me t’keqen ku t’bahet çka të bahet e kryet mos e çaj’.

Ky vend pret prej secilit prej nesh dhe âsht turp i madh zhgënjimi i tij nga pritshmëritë tona. Për fund due t’them veç kaq fjalë: – T’keqes iu preftë turri n’mes, prej Zotit po se po, por edhe prej nesh.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra