Nga Indro Montanelli
“Kështu filloi procesi i kthimit përbrenda të shoqërisë shqiptare dhe i mbetjes djerrë të tokës: dy plagët kundër të cilave Shqipëria lufton ende sot. Kështu sidomos filloi ajo dukuri shkallmimi kombëtar, me kristalizimin e klasave në kasta, me paralizimin e trafiqeve dhe të çdo shkasi tjetër qarkullimi, qarkullimi gjithçkaje: idesh, prodhimesh bujqësore, kulture, shpresash. Turqia – me shkathtësi nga këndvështrimi i saj, që ishte këndvështrim i një sunduesi absolut ushtarak – e ndali historinë shqiptare në feudalizmin mesjetar, nga i cili ajo sa po dilte mundimshëm. Turqia nuk përbëri, ajo shpërbëri. Nëpërmjet joshjes me karriera ushtarake, ajo i thithi vendit elementët më jetësorë. Klasën e vjetër drejtuese e zëvendësoi me një të re, vasale të Stambollit, e përforcoi atë me privilegje, e ndihmoi për konstituimin e latifondit më ogurzi, e bëri të parrezikshme për pushtetin qendror, duke ngjallur dhe ushqyer në gjirin e saj xhelozi dhe rivalitete familjare, duke ngritur një bej kundër një tjetri dhe të gjithë kundër pashait. Bujqësia birej, e vrarë nga prona madhe e tokës dhe nga varfërimi demografik; atë e vinte poshtë blegtoria. Tregtia me jashtë mori teposhtjen; brenda vendit qarkullimi ndeshte në pengesat e feudalëve të vegjël të fuqizuar, në mungesën e rrugëve dhe të mjeteve të komunikimit që askush nuk kishte interes të ndërtonte. Një zotëri në qendër të kardashllarëve të vet, mandej një tjetër zotëri në qendër të të tjerëve kardashllarë të vet dhe kështu me radhë, të shumëzuar për njëqind ose për njëmijë: dhe mes këtyre zotërinjsh dhe mes këtyre kardashllarësh nuk kishte marrëdhënie të tjera veç luftërave mbas pritash që i kundërvinin njërin ndaj tjetrit edhe që i thellonin shkepjet duke çelur urrejtje dhe duke lënë trashëgimi gjaku.
Hera-herës ndonjë prej këtyre bëjlerësh dhe pashallarësh përftonte një program kryengritjeje kundër Stambollit dhe politike të pavarur. Por këto sipërmarrje provoheshin për ambicje vetjake të ndonjë prijësi guximtar, jo në emër të një kryengritjeje çlirimtare për rikonstituimin e njësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Nuk ishin dukuri Ringjalljeje, por Rilindjeje, një Rilindje më shumë e errët se e shkëlqyer, e luajtur prej prijësish gjenialë, të veçuar, që kur e kur mëtonin ta thjeshtonin vendin në një despotat vetjak,Valentinë me tre shekuj vonesë, sikurse tre shekuj e vonuar ishte edhe jeta politike shqiptare.



