Shtresa jonë hasaniste, për të cilën fliste para disa viteve Demaçi, tani mund të fillojë të fuqizohet, sepse në Tiranë dhe Prishtinë janë dy qeveri legjitime të cilat kanë shanse që të ribëjnë unitetin kombëtar jo me fjalë boshe por me punë konkrete. Edi Rama dhe Albin Kurti kanë nevojë të jenë bashkë në projeksionet e tyre qeverisëse, jo pse me këtë do të fitojnë më shumë vota në kampet e tyre politike, por pse me këtë do t’iu japin shqiptarëve më shumë kredi morale e shpirtërore për një frymëmarrje që do t’ua pastronte mushkëritë nga pluhuri i keqkuptimeve e ngatërresave të kaluara.
Kosova dhe Shqipëria e kanë fatin e përbashkët të jenë pjesë e një ëndrre. Përderisa shumë punë mbeten vetëm ëndrra, kjo tregon se shumëçka lidhet më shumë më dëshirat tona, dhe më pak me idetë e projektet konkrete. Kjo mundet të vërtetohet edhe nga bilanci i (mos)realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara të dy qeverive në Tiranë dhe Prishtinë. Për rrjedhojë, po del se ne më tepër kemi dëshirë të ëndërrojmë, se sa t’i përvishemi punëve dhe të jetësojmë projektet që mund të jenë në interes të përbashkët.
Tash së fundi në Shqipëri zgjedhjet e 25 prillit nxorën fitues Partinë Socialiste, kurse Partinë Demokratike e rikthyen në frontin e duhur opozitar parlamentar. Për një shtet normal, ku demokracia është produkt i betejave politike në procesetzgjedhore, mund të quhen legjitime të gjitha idetë që palët hedhin në debat. Mbi të gjitha, janë legjitime dhe tepër të dobishme për shëndetin politik të vendit dhe ardhmërinë e tij,sidomos ato ide që hedhin më shumë dritë mbi udhët e bashkëpunimit e bashkërendimit.
Edi Rama në fjalën e tij menjëherë pas konfirmimit të rezultateve zgjedhore, e projektoi veten si një kauzë që kapërcen konturat e një formati të ngushtë të një lideri. Ai jo vetëm që shtriu dorën bashkëpunimit me PD-në, por detektoi edhe disa nga plagët që kishin shoqëruar udhëtimin politik të shqiptarëve, duke përmendur me këtë rast ndasinë ideologjike në nacionalist e komunist që nga Lufta e Dytë Botërore dhe në ndasinë veri-jug, që ka shoqëruar mendësinë shqiptare me shekuj. Ramaështë një ndër politikanët e rrallë që deri më tani me kaq guxim i ka artikuluar këto ide, të cilat nuk i tha në fushatë zgjedhore, por i tha atëherë kur ai po bëhet sërish politikani më i fuqishëm. Zakonisht kur fuqia e pushtetit mund të kalojë edhe në lakmi të pakufizuar, tek Edi Rama po ndodhë e kundërta – ai bëri ftesë publike që këtë fuqi ta pjesëtojë me të tjerët duke krijuar një ambient pozitiv bashkëpunimi për ta shndërruar Shqipërinë, siç tha ai, në një superfuqi ballkanike në turizëm, energjetikë dhe në teknologji digjitale.
Nëse ëndrra e dikurshme e shqiptarëve për të pasur një front të përbashkët që nuk do të ndaheshin sipas ideologjive dhe krahinave, është pikërisht tani momenti që kjo të bëhet realitet. Është pikërisht tani çasti që mbi llogoret e ndasive politike të ndërtohen ura për të kapërcyer në bregun tjetër të qëllimit sublim për një ardhmëri ndryshe ku fëmijët tanë më shumë do të jetojnë në kënaqësinë e punëve të bëra, se sa në iluzionet ëndrrave e parealizuara.
Por, ajo çka nuk u tha deri më tani nga gazetarët dhe analistët, ishte edhe një pjesë e munguar e fjalës së Edi Ramës, atë ditë që ai po festonte gëzimin fitores në Sheshin Skënderbej. Në fjalën e tij, atë ditë mungoi Kosova. Mungoi pikërisht ajo pjesë e kombit që vazhdon të jetë ëndërr e gjithë idealistëve që duan një bashkim kombëtar. Por, Edi Rama ka mundur të mos jetë idealist i përkryer atë ditë kur foli vetëm si një lider i përmasave të brendshme shtetërore. Kauzën e tij të shfaqur për një klimë të re mirëkuptimi brendakombëtar, ai ka mundur ta shtrijë edhe në temat e përbashkëta të komunikimit dhe bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, tema këto që ai në të kaluarën i ka trajtuar më shumë se njëherë. Motivet se pse ai kësaj radhe nuk e përmendi fare Kosovën, mund t’i dijë vetëm ai, ndonëse nuk ka pasur arsye të ndodhë kjo, aq më tepër që në Prishtinë tash e në të ardhmen mund ta ketë një homolog, si kryeministrin Albin Kurtin, i cili ka qenë një ndër kampionët e diskursit politik për një bashkëpunim pa kushte në mes të Shqipërisë e Kosovës.
Edi Rama i cili na u shfaq në një format krejt tjetër sa i përket pikëpamjeve të tij për një bashkëpunim politik me PD-në, kësaj radhe sikur e la mangut, të paktën deklarativisht, përpjekjen për të zgjeruar këtë bashkëpunim edhe me faktorët politik e institucional të Kosovës.
Shqipëria e Kosova në të kaluarën kanë pasur shumë momente historike që i kanë dhënë vulë aspiratave shekullore për një ideal të përbashkët kombëtar. Por, ka pasur edhe momente që këto aspirata kanë ndjekur rrugë të ndryshme, duke e bërë të pamundur realizimin e ëndrrës për bashkim kombëtar.



