Pas vitit 1945 e deri më sot, Shqipëria nuk ka qënë asnjëherë demokratike, për shkak se është sunduar nga qeverisje klanore, kriminale e kakistokratike. Të gjitha këto lloj qeverisjesh, pavarësisht nga propaganda dhe dokumentacioni fiktiv dhe dezinformues që kanë lënë nëpër arkiva, kanë prodhuar diktatura dhe neodiktatura, fatkeqësi dhe varfëri të skajshme, nxirje të imazhit të Shqipërisë në botë dhe reduktim të vazhdueshme të kapaciteteve tona ekonomike, politike, diplomatike e administrative. Në filozofi thuhet se: “Kakistocracia është sistemi i qeverisjes që drejtohet nga qytetarët më të këqinj, më së paku të kualifikuar, ose më të paskrupullt. Kushdo mund të gjykojë për pak minuta në lidhje me intelektin, moralin, sjelljen dhe cilësitë e tjera administrative e shoqërore të atyre që e kanë qeverisur Shqipërinë në këto vite e dekada të mbushura me anarki, varfëri dhe mizerje të pashëmbullt në politikë, administratë, diplomaci, ekonomi, kulturë, mjedis, shëndetësi, arsim, bujqësi e çdo fushë tjetër të jetës. Anarkia institucionale e shoqërore në Shqipëri dhe kudo tjetër, është arritur dhe mund të arrihet vetëm përmes degradimit të administratës dhe institucioneve në dorë të njerëzve pa moral, pa dije, pa shpirt e pa integritet. Në historinë politike e shtetërore të Europës dhe botës, për të parë nga afër pasojat e qeverisjeve klanore e kakistokratike në vite, nuk besoj se ka një tjetër shembull më të mirë se sa Shqipëria e këtyre 30 -viteve. Në lidhje me pasojat e qeversjeve klanore e kakistokratike në vite, të qeverisjeve pa drejtësi e pa moral, të një vendi e shoqërie, James Russell Loëell (1876), në një letër drejtuar Joel Bentonit, i shkruante: “Ajo që më mbush me dyshim dhe tronditje është degradimi i tonit moral. A është apo jo rezultat i demokracisë? A është qeveria jonë e popullit nga populli e për popullin, apo një kakistokraci, në dobi të pisave e në shpinë të budallenjve?”
Partia Demokratike ka filluar një proces kundër kakistokracisë dhe pisave
Partia Demokratike e Shqipërisë është partia më e madhe opozitare, e lindur mbi shtratin historik të idealeve, sakrificave dhe qëndresës antikomuniste të popullit dhe të rinisë studentore të Shqipërisë. Partia Demokratike, është pjesë e pandashme e të gjitha sukseseve dhe dështimeve të këtyre 30- viteve. Përfshirë këtu edhe përgjegjësinë që ajo ka për degradimin e shtetit në të tilla qeverisje klanore, krahinore, kakistokratike, kaotike e varfëruese. Pavarësisht nga sukseset, dështimet, etj, Partia Demokratike e Shqipërisë, vazhdon që të jetë forca më e madhe opozitare, nga e cila mund të burojnë nisma dhe qëndrime të rëndësishme reformuese për politikën, ekonominë dhe administratën. Dihet nga të gjithë fakti që Partia Demokratike, pavarësisht nga gabimet trashanike të së shkuarës, në këto 7- vite, ka bërë hapa të rëndësishëm e shumë të guximshëm në drejtim të dekriminalizimit të politikës, të parlamentit, të ekonomisë, të institucioneve dhe të gjitha marrëdhënieve shoqërore. Rezultatet e arritura në drejtim të dekriminalizimit të parlamentit, të administratës së lartë shtetërore, të drejtësisë, të ekonomisë, etj, ndonëse të vogla, janë lehtësisht të verifikueshme dhe përbëjnë një bazë të mirë të përvojës dhe guximit për ta vazhduar deri në fund betejën për dekriminalizimin dhe dekomunistizimin e shtetit dhe shoqërisë. Në këtë kontekst, procesi politik më i rëndësishëm e më europianizues i këtyre 30- viteve të tranzicionit të abuzuar, padyshim që është praktika aktuale e votimit, vetting-ut dhe zgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe për në administratë. PD-ja është partia e parë politike në Shqipëri që kopjoi dhe po implementon me detaje një praktikë europiane e demokratike të debatit, të votimit dhe të vetting-ut të kandidaturave për deputetë dhe nëpunës të administratës. Rezultati i këtij procesi do të jetë funksionalizimi sa më i shpejtë i shtetit ligjor, përmes stopimit të degradimit të mëtejshëm të politikës, ekonomisë dhe institucioneve të sunduara në vite e dekada nga injoranca, hajdutëria, kriminaliteti, padrejtësia dhe mungesa e thellë e moralit. Mashtrimet dhe dështimet e këtyre 30 -viteve, nuk duhet të na bëjnë as pesimistë dhe as mosbesues në këtë proces të mirfilltë europianizues dhe shtetformues. Kjo edhe për faktin se drejtimi i këtij procesi në mënyrë kolegjiale nga ana e pesë intelektualëve të nderuar e të njohur nga të gjithë për drejtësi, integritet dhe moral të lartë politik e shtetëror, siç janë Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Mark Marku, Genc Ruli, etj, e bën këtë proces gjithpërfshirës dhe shpresëdhënës për çdo shqiptar. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve të PD-së, është shembulli më i mirë i mënyrës se si mund të bëhen reformat e dobishme e të munguara aq gjatë në Shqipëri. Kjo për faktin se ka shpresë sa herë që punët dhe ligjet adresohen tek njerëzit që e duan drejtësinë, tek njerëzit që janë të ditur, që janë të ndershëm e që kanë moral të pastër. Të tillë njerëz ka plot, ndërsa dihet fakti që në këta 30- vite, nuk janë vlerësuar sa duhet, janë anashkaluar, por që kurrë nuk i kanë munguar shoqërisë, as partive.



