Pikërisht në këtë atmosferë shpërthyese, të shoqëruar me manifestime, qeveria shqiptare gjeti arsyen e nevojshme për të shtuar organikën e Policisë. Vetëm me 100 vetë. Sigurisht, nuk ka arsye për ndonjë alarm lidhur vetëm me këtë fakt. Por kur sheh se ky vendim, më i fundmi i qeverisë, i hap rrugën hyrjes së forcave ushtarake në radhët e Policisë, shpjegimi bëhet më i thjeshtë. Vendimi në fjalë mund të perifrazohet pa frikë si futje në radhët e Policisë së njëqind a më shumë ushtarakëve për të prirë forcat e rendit në këtë stinë të sapofilluar manifestimesh. Për t’i mësuar ato në përdorimin më efikas të gazit lotsjellës e të tjera eskperiencëra militare. Dikur historia filloi me dyqind petritë, sot gjenerali po e vazhdon me njëqind rambo, që do të shpëtojnë qeverinë.
Kjo nuk është qasja e duhur e një shteti që çirret e thërret se është demokratik. Sidomos për momente të tilla tensioni socialo-politik. Edhe pse opozita ka djegur mandatet dhe jeta e institucioneve politike po reduktohet, një qeveri vërtet e përgjegjshme për mbarë popullsinë (edhe atë “të manipuluar”) duhet që në momente të tilla të mendojë të marrë masa të karakterit normativ për të bërë më të dukshme dhe transparente për publikun se cilat janë përgjegjësitë e palëve në përplasje. Manifestimet konfliktuale në vendin tonë paraqesin ende mangësi të karakterit ligjor, sidomos të institucionit që përfaqëson forcën e shtetit. Më shumë se futja e rambove në Polici, qeveria duhet të rregullojë urgjentisht dhe qartë me ligj përcaktimin e autoritetit të duhur shtetëror, që do të ketë për kompetencë dhënien e urdhrit për përdorimin e forcës nga ana e Policisë. Deri më sot nuk ka ndonjë klauzolë ligjore direkte për të përcaktuar shprehimisht se cili do të japë urdhrin e përdorimit të forcës në emër të Republikës. Akti është po aq ligjor sa dhe solemn. Po ashtu, asgjëkund nuk parashikohet me ligj se çfarë lloji apo përbërjesh kimike duhet të ketë gazi lotsjellës, që përdoret kundër manifestuesve. Kush e urdhëron përdorimin e tyre? Kush e certifikon përdorimin e tij për të parë sesa i dëmshëm është për shëndetin kur përdoret? Kush e ka për detyrë ligjore të kërkojë këtë certifikim dhe kush e lëshon certifikatën? Por qeveria preferoi tjetër gjë. Zgjidhjen militare.
Nuk kishte si të delte ndryshe edhe Prokuroria. Të gjithë pamë në manifestim persona dhe policë të shtrirë si rezultat i përdorimit të tij. Askush nuk po mban përgjegjësi. Prokuroria filloi procedimin penal për shumë manifestues. Por nuk e pa të udhës të kërkonte një raport nga mjekët e Urgjencës, ku u mjekuan demonstrues e policë. Të përcaktonin nëse gazi është i dëmshëm. Nuk e panë të udhës të hapnin një procedim penal për këtë rast. As verifikime administrative dhe t’i bënin publike.



