E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Pas deklaratës së Thaçit, Momçillo i serbëve të Malit të Zi kërkon shkëmbim territori: me dhanë Plavë-Gucinë e me marr Shkodrën (!)

Nga Ramiz Lushaj

Dr. Momçillo Vuksanoviq, presidenti i Këshillit Kombëtar të Serbëve në Malin e Zi, e lëshoi deklaratën e tij për Komunitetin Ndërkombëtar: të japim Plavë-Gucinë dhe të marrim Shkodrën…! Kjo u botua më 4 gusht 2018 në gazetën “Dan” në Podgoricë, Mali i Zi.

Kjo deklaratë e Vuksanoviqit, që të pakten për nga mbiemri i tij duket i prejardhjes shqiptare po me etni e shpirt i sllavizuar në indet e venat e tij, duhet të merret me vlerësim e qëndrim maksimal e të rreptë, pasi don pazare me interesat e tokat etnike shqiptare. Përndryshe, heshtja jonë do të thotë se jemi “të lodhur, të paditur, të pamundur…”.

Kjo deklaratë nuk ka ndonjë ndryshim me qëndrimet e veprimet e krajl Nikollës së Dytë të Malit të Zi, i cili kërkonte të merrte në zotërimet mbretërore të tij dhe Shkodrën e deri dhe Prizrenin. Në vitin 1906 në Çetinje, kryeqytetin e fronit malazez, u themelua Partia Popullore (NS) me imazhin e frymën e Krajl Nikollës, e cila u ringrit më 1990 e më 1997 me kryetar të saj Predag Popoviqit (rrënjas kuças), e cila është partia ma e vjetër në Malin e Zi dhe ende e mban hymnin krajlnikollian antishqiptar “Përpara…” drejt Shkodres e Prizrenit (!)

Kjo deklaratë duhet marrë seriozisht prej politikës shqiptare të Tiranës, Prishtinës, Shkupit e në Malin e Zi, sepse 63 vjeçari Momçillo Vuksanoviq është President i Këshillit Kombëtar të Serbëve, i rreth 200 mijë serbëve në Malin e Zi, i një institucioni i njohur ligjërisht nga legjislacioni kushtetues i Malit të Zi (sikurse dhe Këshillat e këtilla të Shqiptarëve, Boshnjakëve, Kroatëve, etj.) dhe kanë kompetenca, fonde, aktivitet, peshë në vendimmarrjet legjislative e administrative në Malin e Zi. Aq ma tepër kur ky president e institucioni i tij kanë lidhje e bashkpëunime të mira, të shpeshta, të dëshmuara deri në caqe ekstreme me Kishën Ortodokse të Serbisë, etj.

 Kjo deklaratë e tij (sado utopike) duhet marrë seriozisht, pasi Momçillo Vuksanoviq ka qënë një emër i njohur i politikës së Malit të Zi e të Serbisë, i cili në vitet 2003-2006 ishte deputet i Federatës Serbi-Mali i Zi, pavarësisht se tani e cilëson vetveten e tij të paangazhuar në partina politike në shtetin e tij multietnik. Përndryshe: Momçillo Vuksanoviq mban gradën doktor i shkencave dhe është një nga figurat e arsimit sllav në Malin e Zi. Për ma tepër: Momçillo Vuksanoviq është një nga personalitetet e masmediave në Malin e Zi, pasi ka themeluar revistën “Srpske novine”, radio-stacionin “Cool”, stacionin televiziv “Srpska televizija”, ka ndihmuar në dhjetra botime në gjuhën serbe, etj.

Kjo deklaratë e tij tipike sllave duhet marrë seriozisht, sepse është botuar në të përditshmen “Dan” (Dita), me emër e traditë nga gazeta e vjetër e Çetinjës e fillim shekullit të kaluar (XX), e cila prej vitit 2009 vjen e dyta për nga tirazhi i saj (pas “Vijesti”-t), me mbi 30 për qind të lexuesve në Malin e Zi.

Kjo deklaratë e tij duhet këndvështruar dhe nga fakti se vjen menjëherë edhe si kundërpërgjigje e deklaratës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që po kërkon bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës. Thaçit, që po i duket vetvetja si Zeus e hapi “Kutinë e Pandorës” duke iu shërbyer direkt interesave prosllave antishqiptare nga Ballkani deri në Rusi e gjetkë.

Askush nuk e beson realisht deri në fund Hashim Thaçin se vërtet mundet të bashkojnë Luginën e Preshevës më Kosovën, ndërkohë që e ka hedhur tre herë firmen e tij, edhe në Vjenë, edhe në Podgoricë, edhe në Prishtinë, për Demarkacionin me Malin e Zi, për t’ia dhanë mbi 8 mijë hektarë tokë etnike të Kosovës dardane Malit të Zi.

Thaçi, që i duket vetja piedestal i Kosovës, i zgjoi dhe njëherë nga “shpellat e pansllavizmit” nacionalizmat e vjetër e të rinj të krajlve të Serbisë e të Malit të Zi dhe të Vuçiqëve, Gjuriçëve e Momçillo Vuksanoviqëve që ende kërkojnë të marrin nga tokat etnike shqiptare të Shqipërisë e Kosovës, që ende jetojnë me ëndrren e një “Serbie të Madhe” në Ballkan, qoftë me “korrigjime kufinjsh”, “shkëmbime territoresh”, “federalizim të Ballkanit Perëndimor”, krijimin e “Jugosllavisë së Katërt” (!)

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra