Sot, në përvjetorin e vdekjes, Musli Mulosmanajn, e përkujtoj me shumë ndjenja e mall, si mik timin personal dhe të familjes sime, si atdhetar që e deshi aq shumë Shqipërinë etnike, por, për fat të keq, mbet larg saj fizikisht me dekada, si antikomunist dhe antisllav që ishte, mbretëror besnik dhe njeri me zemër te madhe, i nderuar nga të gjithë.
Musli Mulosmanaj i përket derës së madhe të Binakalive, e cila në kohë të ndryshme historike për 200 vjet me radhë luftoi për Shqipërinë etnike.
U lind në vitin 1930 në Fang të Bujanit, në Malësinë e Gjakovës. Është djali i madh i Çelë Shabanit, stërnip i Binak Alisë, e nip i Shaban Binakut. Kjo familje ka dhënë shumë heronj e dëshmorë të kombit, dhe në perudhën kur Shqipëria ra nën komunizëm, regjimi i Enver Hoxhës, ekzekutoi, burgosi dhe internoi shumë anëtarë të familjes së tij.
Ai, me një pjesë të familjes, i shpëtoi ekzekutimeve dhe burgosjeve, duke u arratisur nga Shqipëria. Pas një qëndrimi 18 vjetësh në Kosovë, emigroi në SHBA. Në New York, inkuadrohet në Organizatën e Legalitetit, ku për një kohë të gjatë ishte edhe kryetar dhe së bashku me organizatat tjera nacionaliste, luftoi regjimin në Beograd dhe në Tiranë.
Musli Mulosmanaj ishte edhe anëtari i Organizatës më të vjetër “Vatra”. Ai mori pjesë në të gjitha demonstratat dhe protestat që komuniteti i shqiptarëve nacionalistë në SHBA i ka organizuar kundër dhunës dhe terrorit serb mbi shqiptarët e Kosovës dhe kundër diktaturës në Shqipëri.
Axha Musli, siç i thosha unë, ishte mbështetës i madh i Legalitetit dhe i Mbretit Leka I dhe Princit Leka II.



