E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Në Bruksel po vërtitet Konferenca e Londrës. Pse nuk ndihet Shqipëria?!

Nga Shaban Murati – diplomat

Një anëtar i qeverisë së Kosovës më shkruante këto ditë lidhur me ecurinë e bisedimeve përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës. Dikush në Bruksel i ka kërkuar Prishtinës të pranojë ndryshime të karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale dhe se Kosova nuk duhet të vendosë vija të kuqe në këto bisedime. Mesazhi diplomatik i dikujt në Bruksel është i qartë dhe kërkon që Kosova të cedojë në sovranitetin, në integritetin territorial dhe në pavarësinë e vet.

Ka një situate alarmante, ku përfaqësues të veçantë të diplomacisë europiane po kërkojnë të devijojnë objektivin kryesor të bisedimeve përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili është dhe duhet të jetë njohja reciproke e dy shteteve fqinj. Ky është çelësi i zgjidhjes dhe i normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinj. Çuditërisht, dikush në Bruksel e quan këtë kërkesë logjike “vijë e kuqe” dhe nuk e pëlqen si zgjidhje. Nuk e pëlqen, sepse dikush në Bruksel kërkon ta mbajë të pazgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi. Nuk është vetëm interesi i vjetër i një pjese të diplomacisë europiane për të shpërblyer Serbinë në ambicjet e saj hegjemoniste në kurriz të territoreve shqiptare. Është diçka më shumë dhe konturohet si një implikim i përbashkët i disa qarqeve filoserbe në BE sëbashku me Rusinë. Dikush në Moskë është bashkuar me dikë në Bruksel dhe kërkojnë të shpërthejnë Ballkanin.

E thënë shkurt, në Bruksel po vërtitet Konferenca e Londrës e vitit 1913, për një ricopëtim të ri të territoreve shqiptare dhe konkretisht të Kosovës.

Ku është Shqipëria dhe përse nuk ndihet zëri i saj në një situatë të tillë inkandeshente diplomatike? Si mund të rrijë indiferente Shqipëria ndaj asaj, që po i kërcënohet Kosovës, e cila është pjesë e trupit, e gjakut dhe e zemrës së kombit? Në kohën e Konferencës së Londrës të vitit 1913 shqiptarët anembanë botës, nga Shqipëria në Amerikë, nga Anglia e Franca deri në Ballkan, u mobilizuan me protesta dhe peticione drejtuar Konferencës dhe fuqive të mëdha për të shprehur qëndrimin e vendosur kundër coptimit të territoreve shqiptare. Si nuk flet sot Shqipëria, që është anëtare e NATO-s, dhe të shpallë vijën e kuqe të mbrojtjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, të cilën e ka sanksionuar ndërkombëtarisht dhe ligjërisht Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 korrik 2010 dhe e kanë njohur 116 shtete të botës? Si nuk ka protesta as zyrtare e as publike nga Shqipëria në Bruksel në mbrojtje të integritetit dhe pavarësisë së Kosovës? Si nuk ka protesta nga shqiptarët në Amerikë dhe në Europë për të dëshmuar mbrojtjen e Kosovës? A është ndërgjegja kombëtare tani më e ulët se në vitin 1913 apo opiumi i integrimit u ka hequr shqiptarëve të menduarit kombëtar dhe njerëzor?

Mallkuar qoftë ai integrim, që blihet me territore tokësore dhe detare shqiptare!

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra