Në Lampeduza, presidentja e KE, Ursula von der Leyen premtoi shumë për të lehtësuar ishullin e mbingarkuar me mijëra migrantë. Por ajo varet nga vendet anëtare të BE, e shumë refuzojnë të pranojnë refugjatë nga Italia.
Në Lampeduza, presidentja e Komisionit Europian, gjermanja Ursula von der Leyen premtoi një plan 10-pikësh për lehtësimin e krizës: ndihma të shpejta nga Brukseli, masa kundër krizës humanitare në ishullin, ku çdo ditë vijnë disa qindra refugjatë, ose edhe mijëra. Por kryesisht mesazhi i saj, ishte se BE nuk e le vetëm Italinë. “Kjo ka rëndësi për mua, sepse migracioni i parregullt është një sfidë për Europën dhe prandaj ka nevojë për një përgjigje europiane”, tha von der Leyen.

Ursula von der Leyen dhe Giorgia Meloni duke vizituar Lampeduzën
Por si duket kjo përgjigje nuk dihet. Plani 10-pikësh nuk përmban shumë pika të reja, dhe ajo që është e re nuk mund të vendoset vetëm nga presidentja e KE. Ursula von der Leyen është e varur nga shtetet anëtare. Për shembull propozimi, që refugjatët të shpërndahen nga Lampeduza në vende të tjera të BE. “Ne do të mbështesim më fort shpërndarjen e refugjatëve dhe kërkojmë nga vendet anëtare të praktikojnë mekanizmin vullnetar të solidaritetit e të pranojnë refugjatë nga Italia”, kërkoi von der Leyen.




