E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Kosova, dy herë shpallet “shtet i pavarur dhe demokratik”!?- Nga Msc. Adem Lushaj

Jemi në prag të festimit të 11-vjetorit të “shpalljes së pavarësisë” së Republikës së Kosovës. Njëmbëdhjetë vite më parë (17 shkurt 2008), Kuvendi i Kosovës me deklaratën e lexuar nga ish Kryeministri, Hashim Thaçi, kishte shpallë Kosovën “shtet të pavarur dhe demokratik”. Pra, të dielën (17 shkurt 2019), mbushën njëmbëdhjetë vite nga kjo ngjarje e madhe historike, e përkrahur edhe nga disa shtete të bashkësisë ndërkombëtare. Po ashtu, me 2 korrik 1990, me deklaratën e lexuar nga Muharrem Shabani, deputetët e Kuvendit të Kosovës (edhe pse nën masa të dhunës shtetërore serbo-sllave, dhe pa ndonjë përkrahje legale nga bashkësia ndërkombëtare), kishin marr vendim që Kosovën ta shpallin “shtet të pavarur e demokratik”, e që njihet si “Deklarata e Pavarësisë”.
Bazuar në “Deklaratën e 2 Korrikut”, ishte nxjerrë edhe “Kushtetuta e Kaçanikut” (7 shtator 1990) dhe organizuar “Referendumi për pavarësi”. Edhe këtë ngjarje, shqiptarët e vlerësojnë si ngjarje të madhe historike, në rrugëtimin për liri dhe demokraci.
Pra, shqiptarët në Kosovë, çdo vit shënojnë dy data historike që kanë të bëjnë me shpalljen e “pavarësisë” së Kosovës. Që të dyja kanë specifikat e tyre.
Përderisa, para njëmbëdhjetë vitesh kjo ngjarje ishte në koordinim të hapur me faktorin ndërkombëtar (SHBA-të) dhe pa presion të dhunës shtetërore serbo-sllave, ajo e para njëzet e tetë vitesh, ishte ngjarje e shënuar para dyerve të këtij Kuvendi, dhe nën kërcënimin, ushtarako-policor të asaj kohe.

Funksionimi i institucioneve të asaj kohe (Parlamenti dhe Qeveria), të prira nga ish presidenti, dr. Ibrahim Rugova, ishte vënë në vështirësi nga presioni dhe dhuna që ushtrohej nga terrori shtetëror serbo-sllavë. Mirëpo, përkundër dhunës dhe represionit, këto institucione merrnin vendime, pa pyetur Qeveri apo institucione të shteteve armike. Ndërsa tash, në këtë kohën e pavarësisë që kemi, do kisha dëshirë të di, se cilat vendime merren pa ndërhyrje ndërkombëtare dhe pa pyetur qeverinë e Serbisë.

Në atë periudhë të vështirë të historisë sonë krenare, kishim shpresën se e ardhmja ishte për NE, për lirinë dhe demokracinë e plotë të këtij vendi. Edhe pse ishte e vështirë të kalonte ditë pa maltretime, burgosje dhe vrasje, kishim vetëbesim dhe unitet, ngase ishte në ballë të zhvillimeve, njeriu me vizion të qartë, lideri i shqiptarëve të asaj kohe, presidenti Rugova.

Tash pas njëmbëdhjetë vitesh të pavarësisë, me të gjitha institucionet funksionale dhe prezencën ndërkombëtare, mbretëron zhgënjimi, krimi dhe korrupsioni, e të menduarit për ikje nga ky vend, duke bërë që shpresa që kishim dikur, të jetë e heshtur.

Pra, janë dy data (ngjarje) të mëdha historike për Kosovën, në të cilat Kosova shpallët “shtet i pavarur dhe demokratik”!?
Urime “Pavarësia e Kosovës”!

(Msc. Adem Lushaj, është drejtor i “Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur” në Deçan)

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra