Idenë e bashkimit të shqiptarëve, janë përpjekur ta dekonstruktojnë që nga vitet e tridhjeta të shekullit XIX e deri më sot. Ka pasur, e si po duket ka edhe sot përpjekje për të mohuar jetën e përbashkët të shqiptarëve gjatë historisë, bile edhe para vitit 1913, gjë që nuk është aspak e vërtetë, pasi ideja e bashkimit kombëtar nuk mund të dekondtruktohet nga askush as nga brenda e as nga jashtë. Bashkimi i kombit shqiptar si ide e aspiratë nuk ka pushuar asnjëherë edhe pse i ka pasur ngritjet e rëniet e saja. Në vazhdim, në pika të shkurtra do të tregojmë kohën kur lindi ideja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve.
I
Përpjekjet e shqiptarëve për konsolidimin e kombit duhet t’i kërkojmë në vitet e fundit të shekullit XVIII dhe në dekadat e para të shekullit XIX. Idetë e iluminizmit e të shkencës të përhapura në qytetin e Voskopojës në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, mund të konsiderohen si pararendëse të gjuhës shqipe e të kombit tonë ose thënë ndryshe një Rilindje e hershme e kombit shqiptar. Këto ide nuk u patën pritur mirë nga Perandoria Osmane e cila për t’i penguar ato, në mars të vitit 1830, organizon në qytetin e Manastirit një manifestim gjeja për t’i prezantuar të arriturat në modernizimin e ushtrisë osmane sipas sistemit të atëhershëm evropian . Kështu ajo e organizoi Masakrën e Manastirit më 9 gusht 1930, e para kësaj kishte organizuar edhe masakra të tjera në Shqipërinë e Jugut të orientuara kundër Elitës intelektuale shqiptare. Kjo ishte bërë sipas kërkesës se Sulltanit, i cili kërkonte që: “Shqipëria duhet mposhtur me çdo kusht, me hekur, zjarr e barot” . Në anën tjetër Porta e Lartë kishte kohë që të krishterëve të Ballkanit ua kishte lejuar hapjen e shkollave në gjuhet e tyre amtare edhe në territorin shqiptar, por një gjë të tillë nuk dëshironte t’ua lejonte shqiptarëve. Qëllimi i Perandorisë Osmane ishte që shqiptarët të mbeteshin pa shkolla e pa elitat e tyre prijatare kombëtare. Ndoshta këtë e bënte pse një pjesë e madhe e tyre i kishte islamizuar dhe dëshironte që t’i ruante në shërbim të saj. Përveç Perandorisë Osmane përndjekje asimiluese e eliminuese ndaj shqiptarëve i kishte filluar edhe politika Greke që përfaqësohej nga “Megali Idea” (1844) . Ideatori i kësaj “Ideje të madhe” ishte Kryeministri i Greqisë, J. Koleti i cili dhe zyrtarisht shpalli, politikën ekspansioniste te Greqisë ndaj shqiptarëve. Kjo e fundit përveç përndjekjes se shqiptarëve, ajo nuk hezitonte që të helmonte çdo atdhetar shqiptar që punonte për Shqipërinë e shqiptarët, kështu në shënjestër të tyre qe edhe autori i Evëtarit të parë shqip Naum Veqilhargjin(1854) . Naum Veqilharxhi, në vitin 1846 shkruante: “Ka ardhur koha që t’i flakim të gjitha paragjykimet e vjetruara, ka ardhur koha që të mendohemi më me pjekuri dhe më me guxim të këmbejmë udhë, duke marrë këtej e tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë … , Le të ecim pa u lëkundur, me guxim, me durim dhe me këmbëngulje ”. Kjo vetëdije e lartë kombëtare e pati shtyrë atë që të ishte shqiptari i parë i shkruar me kombësi shqiptare në Rumani . Po atë vit përpjekjeve greke, në mënyrë edhe më të egër i shtohet edhe Serbia e Garashaninit me Projektin (Naçertanjes) për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta (1844) . Këto shtete, Greqia e Serbia, zhvilluan politika ekspansioniste ndaj tokave shqiptare, pasi ato nuk donin që ta pranonin prezencën e shqiptarëve e as të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare . Pak vite më vonë këtyre përpjekjeve për të grabitur tokat e banuara me shqiptarë u bashkohet edhe Mali i Zi. Këtij të fundit, Kongresi i Berlinit i dha toka të banuara denbabaden me shqiptarë. Jo vetëm ketë herë, Fuqitë e Mëdha të Evropës u treguan shumë “bujare”, për t’ju dhuruar krishterëve të Ballkanit, troje shqiptare. E ata pastaj jo pak herë ushtruan politika të gjenocidit mbi shqiptarët. Nga kjo del se në politikat e gjenocidit që i ushtruan këto vende, hisen e tyre e kishin edhe Fuqitë e Mëdha të kohës.



