1.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel prej të shtatës ditë të marsit 2019 hyri në të 43-tin vit të jetës së tij në politikën e madhe amerikane, i cili është nji emër shumë i njohur e fort i nderuar për Shqiptarët. Ish-kryeministri i Shqipërisë, dr. Berisha, e vlerësimon shprehimisht:”është, besoj unë, kongresmeni që në jetën e tij i ka përkushtuar më shumë se kushdo tjetër punë, kohë, dashuri këtij vendi dhe këtij kombi. Isha dhe jam gjithmonë shumë i kënaqur sa herë që e takoj, një mik të madh, të çmuar, i cili, e them me bindjen më të madhe, se ka qenë fat për shqiptarët…”(Tiranë,02.09.2016), ndërsa kryeministri i Kosovës, Haradinaj, e mirëpërcaktimon lartnisht:“për dekada, deri në përmasa heroike, u angazhua për Çështjen e Kosovës dhe të Shqiptarëve”(Prishtinë,04.01.2019).
Eliot Engel ishte djalosh 30 vjeçar, i lindur e i rritur në rajonin administrativ (borough) të Bronx-it të qytetit të New Yorkut, i diplomuar për histori e drejtësi (1969-’73), me angazhime në mësuesi e në jetën publike e shtetërore, kur u zgjodh për herë të parë (1977) asambleist i shtetit të New Yorkut, një nga shtetet federale ma të fuqishme në SHBA. Ai duket se ishte i lindur për politikën, sepse politika u bâ pasioni, profesioni e misioni i tij, ndaj u zgjodh suksesshëm asambleist në 12 vite, në 6 legjislatura rradhazi (nga e 182-ta në të 187-tën).
Eliot Engel, sivjet, hyni edhe në të 31-tin vit të jetës së tij politike i zgjedhur Kongresmen Amerikan, prej nëntorit 1988, në kohën e Presidentit Regan, pasi e mirë-kreu në mbi nji dekadë “shkollën politike” si asambleist i shtetit të New Yorkut, sikurse edhe shumë kongresmenë e senatorë amerikanë njujorkezë në shekujt e fundit. Përveç kongresmenes të SHBA në shtetin e New Yorkut, Nita Lowey (që fitoi më 1988 ndaj kongresmenit amerikan me origjinë arbëreshe, Xhozef Dioguardi-i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane) astenji tjetër kongresmen, ndër 27 kongresmenët amerikanë të sotëm në shtetin e New Yorkut, nuk ka arritë të fitojnë në të gjitha legjislaturat rradhazi, në 16 legjislatura, sikurse kongresmeni amerikan Eliot Engel (1988-2019).
Eliot Engel është politikan i sukseseve elektorale të vazhdueshme në karrierën e tij politike progresive. Ai ka fitue gjithmonë, në katër dekada politike, edhe në garë elektorale brenda partisë së tij (PD), edhe në zgjedhjet në zonat e tij elektorale në New York. Ai ka tashma një elektorat të qëndrueshëm, meritueshëm, besatueshëm.
Eliot Engel, në garën brenda Partisë së tij Demokratike, në gusht 2012, fitoi me 92 për qind ndaj rivalit të tij demokrat, kurse në garën e fundit, me 26 të qershorit 2018, i pati përballë tre rivalë demokratë e fitoi ndaj tyre me 73 për qind të votave. Partia Republikane (PR), tuj e pá epërsinë e tij të madhe elektorale brenda partisë së tij (PD) e përllogariti sfiden me humbje elektorale ndaj nuk i vuni atij kundërkandidat në Zgjedhjet e 6 nëntorit 2018 për në Kongresin Amerikan, kështuqë ai konkuroi i vetëm-i sigurtë, fitoi thellë-si gjithmonë.
Eliot Engel në të 22 elektoriadat e tij në popull ka fitue me shifra të larta përqindjeje në zonën e tij elektorale. Përveçse më 1977 e 1988 nuk râ kurrnjiherë tjetër nën 61-79 për qind. Përkundrazi. Ia ka mbrri të fitojnë edhe me 80 për qind (1980) kur ishte asambleist i shtetit të New Yorkut. Në disa zgjedhje për kongresmen për New Yorkun (në distriktet 19, 17, 16) ka fitue me 81 deri 89 për qind (1992, ‘96, ‘88, 2000, etj.).
Edhe në elektoriadën e ardhshme (2021-’23) pritet që Eliot Engel të fitojnë suksesshëm duke i ngjitë shkallët e rekordeve politike në SHBA si një ndër kongresmenët ma kohëgjatë në politikë, pa asnjë humbje në elektorida, me mandatime pandërprerje në Kongresin Amerikan.
Kongresmenit veteran i politikës, Eliot Engel, mbi tri dekadat kohore të tij në Kongresin Amerikan; anëtarësia ndërvite në gjithato Grupe Parlamentare (Kongresit) të partisë së tij (PD); zgjedhja e tij në disa Komisione/Komitete të Kongresit (antar e, prej qershorit 2012-nënkryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme; në Nën-Komisionin për Europë e EuroAzi; prej 2007-tës demokrati kryesor në Nënkomisionin për Hemisferën Perëndimore të Kongresit dhe zani kryesor i Komisionit për Amerikën Latine e Karaibet; antar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut; kryetar i Grupit të përbashkët të kongresmenëve republikanë e demokratë për Çështjet Shqiptare në Kongres), i shërbyen si tjetër “shkollë politike” e mirë për lartësimim e figurës së tij politike e diplomatike; për t’u zgjedhur unanimisht prej 3 janarit 2019 kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan.
Kjo zgjedhje e tij e sivjetme kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan ka randësi të trefishtë: për vet kongresmenin Eliot Engel; për Komisionin e Kongresin Amerikan; për Ne-Shqiptarët në gjashtë shtete të Ballkanit e në komunitetin shqiptaro-amerikan në New York e Amerikë.
Kjo zgjedhje e tij është përshendetë masivisht nga politikanë të karrierës të të gjithë krahëve politikë, nga masmedia e shoqëria civile shqiptare, nga qytetarë shqiptarë të thjeshtë në të dy anët e Atlantikut, ndërsa mediat serbe në Beograd (janar 2019) kanë shkruar se Engel është “mik i Kosovës e lobues i saj”, “mbështetës i madh i Ushtrisë së Kosovës”, etj.
Presidenti i Kosovës, Thaçi, e ka vlerësue gjithnji kongresmenin Engel si një “mik i dëshmuar i Kosovës,…për mbështetjen e vazhdueshme, përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm për afirmimin dhe avancimin e Kosovës në të gjitha rrafshet” (Prishtinë,25.09.2018) çka e shpreh dhe në mesazhin e urimit: “Ju keni qenë njëri ndër personat kyç për Lirinë, Pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës”(Prishtinë,04.01.2019). Presidenti i Shqipërisë, Meta, gjatë një takimi në Amerikë me kongresmenin Engel (SHBA,7 shkurt 2019) e vlerësoi atë ”për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për Kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO” dhe, theksoi se, jemi “me fat që kemi në Kongres një personalitet të tillë me memorie të fortë historike, por edhe vizion gjithmonë të kthjellët për të ardhmen e rajonit tonë”.
2.
Eliot Engel është i lindur hebre, i përket fisit ma të madh e ma të fuqishëm të botës–Fisit të Hebrenjve, të cilët janë ndër lobuesit e mbështetësit ma të mëdhenj të Çështjes Kombëtare Shqiptare në SHBA, sidomos për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës në këto tre dekadat e fundit.
Tre nga kongresmenët hebrenjë, emra të nderuar të botës e kohërave shqiptare, e kanë kryesuar Komisionin për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan: Benjamin A. Gilman (1995-2001), Tom P. Lantos (2007-’08) dhe Eliot L. Engel (2019-‘21), të cilët për meritat e tyre kontributore janë nderuar më 12 qershor 2004 nga Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me dekoratën e lartë “Medalja e Artë e Lirisë”. Duhet thanë se këta tre kongresmenë amerikanë hebre për Çështjen e Kosovës zërin, hapat e meritat i kishin bashkë në Kongresin Amerikan. Me rezolutat, fjalimet, deklaratat, komentet, artikujt e tyre për Kombin Shqiptar, për Shqiptarët, mund të botohen libra më vehte.
Kongresmeni amerikan demokrat, i ndjeri Tom Lantos i Kalifornisë (1928-2008), ishte ndër të parët personalitete të larta amerikane e ndërkombëtare euro-atlantike që e vizitoi qysh në maj 1990 Kosovën e Shqipërinë, që e njohu ma shumë Amerikën e Botën me gjendjen e rëndë të Kosovës nën pushtetin shovinist millosheviçian; për strehimin e mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri para e gjatë Luftës së Dytë Botërore, etj. (Prej 2010-tës një shesh në qytetin e Gjakovës e mban emrin e tij). Kongresmenët amerikanë, demokrati Tom Lantos e republikani Benjamin Gilman, qysh më 1992 banë thirrje me anë të një Rezolute të Kongresit Amerikan për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Tom Lantos, 27 vjet kongresmen, do të deklaronte më 2007 në Kongresin Amerikan: “Për Kosovën nuk do të ketë Liri pa Pavarësi. Dhe për Bashkësinë Ndërkombëtare nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër të pranueshme përpos Pavarësisë”.
Kongresmeni amerikan republikan, i ndjeri Benjamin A. Gilman i New Yorkut (1922-2016), pilot amerikan i LDB në Japoni, 30 vjet ligjvënës (1973-2003), qysh në prill 1990 filloi lidhjet e tij me Kosovën…Më 1994, Gilman, ishte sponsori i një Rezolute të Kongresit Amerikan, ku i bahej thirrje Presidentit Amerikan Bill Klinton që të hartohej një Raport për Kosovën duke kërkue miratimin e rekomandimeve për mbrojtjen e Të Drejtave të Shqiptarëve të Kosovës, duke përfshi edhe mundësinë e vendosjes të nji Protektoriati Ndërkombëtar për Kosovën sëbashku me OKB e BE-në. Ai ka marrë pjesë e mbajtë fjalime edhe në demonstratat e shqiptarëve në New York e në Washington D.C. E ka mbrojt’ dhe Universitetin e Tetovës nga sulme goditëse të Qeverisë së atëhershme Maqedonase të kohës së Gligorovit. Kongresmeni Gilman, më 27 janar 2000, do të thoshte për Kosovën:-“Kemi fituar Luftën, por nuk kemi fituar ende Paqen…”.
Ndër të parët hebrenjë në politikën e madhe amerikane, që u morën aktivisht me Kosovën dardane, me çështjen kombëtare shqiptare, është edhe senatori demokrat i Marylandit, 75 vjeçari i sotëm, politikani veteran amerikan Benjamin L. Cardin (Ben Cardin), që i ka 32 vite senator i Amerikës (1987-2019), i cili edhe në qershor 2017 ishte sponsor i një Rezolute në Senatin Amerikan që kërkonte ndalimin e ndikimit të Rusisë edhe në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, të cilat i cilëson “zona të rrezikuara” e, ndaj, i kërkon Shtetit Amerikan të akordojnë 250 milionë dollarë USD fonde ndihmë për mbështetjen e fuqinë e tyre, për asistencë në mbrojtjen e mekanizmave zgjedhorë nga sulmet kibernetike, në luftën kundër korrupsionit, në forcimin e shtetit të së drejtës.
Një prej tyre, prej fillimit e deri më sot, është dhe kongresmeni amerikan hebre, veterani i politikës, 71 vjeçari demokrat Jerrold Nadler, mik i mirë i Shqiptarëve, i cili ishte në 15 vite i zgjedhur asambleist i shtetit të New Yorkut dhe prej 27 vitesh kongresmen amerikan i SHBA për New Yorkun.
Një tjetër, ndër miqtë e kongresmenit Eliot Engel në misionin e tij të madh për Kosovën, ishte dhe shkrimtari amerikan hebre, “ndërgjegje e njerëzimit”, Elie Wiesel, i mbijetuari i Holokaustit (i ngjashëm ky me holokaustin serbo-sllav mbi Shqiptarët e Kosovës), Nobelist i Paqes (1986), i dekoruar nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Franca, etj., i emëruar më 1978 nga Presidenti Amerikan Carter në detyrën kryetar i Komisionit Presidencial për Holokaustin. Ai e ngriti zërin për Kosovën përballë botës, në masmedia amerikane e ndërkombëtare, në takimet me presidentët amerikanë, si me Bill Klinton e të tjerët. Ai thoshte proverbialisht: “Duhet ta ruani kujtesën, ju duhet të jeni të ndershëm, ju duhet të jeni të vërtetë”.
Hebrenjtë janë të fuqishëm gjithanshmërisht edhe në SHBA, pasi Amerikën, pas Izraelit, e kanë dhe “shtëpinë e vet”. Shteti hebraik i Izraelit i ka gjithsej 6.7 milionë hebrenjë (2018) dhe pothuaj kaq janë dhe në SHBA: mbi 5.8 milionë hebrenjë. Nga 8 milionë hebrenjë të shpërndarë e me ngulime në 98 shtete, në të gjitha kontinentet, mbi 70 për qind e tyre janë aktualisht në SHBA. Në botën e sotme hebrenjtë po rriten shumë numerikisht në Izrael, Amerikë e kudo në Planet (kanë lindshmërinë ma të madhe në Perëndim); po fuqizohen pandalshëm nga ana ekonomiko-financiare dhe politike; po arrijnë moshë mesatare nga ma të lartat në botë (mbi 80 vjeç për burra edhe gra) etj. Pra, kjo, origjina dhe qenia e kongresmenit Eliot Engel hebre, i jep kredite të mira me pluse e impulse, i jep atij garanci e fuqi të pushtetshme e të pashterrshme në udhët e peshën e tij politike amerikane e globale, si dhe në të mirë të integrimeve e progresit të Shqiptarëve të ndamun padrejtësisht në gjashtë shtete të sotme ballkanike.
Eliot Engel është njeri i besimit të madh shpirtëror, i përket fesë më të lashtë të botës, fesë të Jehudizmit (Jahudive, si iu thonë në Mesdheun europian), fe-e cila i identifikon ma së miri e i mban ma së forti hebrejtë e Izraelit, të Amerikës e të Botës. Sot, në Amerikë, hebrenjtë e politikës, që praktikojnë fenë jahudi (pa i përllogaritë ata/disa të origjinës hebraike, si, p.sh., ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madelene Ollbrajt–“Gruaja e hekurt” për Lirinë e Kosovës) po kanë rritje të ndjeshme politike. Kjo duket edhe në elektoriadat amerikane të fundit. Senati Amerikan i ka 9 hebrenjë (8 të Partisë Demokratike, 1 i pavarur). Në Kongresin e 114-të të SHBA (2015-’17) ishin gjithsej 19 kongresmenë hebrejë jahudi, ndërsa në të 16-tin Kongres (2019-‘21) janë 28 kongresmenë hebrejë jahudi, nga të cilët 25 demokratë e 2 republikanë. Në shtetin e New Yorkut janë 1 senator hebre (Chuck Schumer) dhe 5 kongresmenë hebrenjë (Eliot Engel, Nita Lowey, Jerry Nadler, Lee Zeldin, Max Rose).
Eliot Engel është një amerikan hebre jahudi i përkushtuem ásht e gjak, fjalë e hap për Izraelin–vendin e origjinës së tij të kahershme, pasi dhe vet Izraeli i quan mërgimtarët e tij të çdo kohe e shteti: “Fëmijët e Izraelit”. Ai ka lindur hebre në një familje hebre të njohur e me traditë humanitare (me gjyshin e tij të ardhur për herë të parë në Amerikë); është rritur hebre me gjithçka hebraike dhe në këtë botë e atë të përtejme do të mbetet hebre, me paraardhës e pasardhës të tij. Po të mos ishte hebre ndoshta nuk do të ishte as ky Eliot Engeli i sotëm e i nesërm. Hebrenjtë, edhe në saje të zotësisë e krijimit të imazhit botëror të tyne, sillen disi si “zotër”, me dituri e qetësi të pazakontë, kanë unitetin e genit, koordinimit e të veprimtarimit të pashoq ndër kohëra mijëravjeçare: “Unitetin Hebre” të ekzistencës, mbijetesës e epërsisë së tyre.
Eliot Engel është mbështetës i zëshëm i Izraelit, i pandashëm me Izraelin, i pandalshëm për Izraelin, i përkushtuem me jetën e tij plot dijeni e energji për Izraelin e vet. Eliot Engel, qyshce kur hyri në Dhomën e Përfaqësuesve të Amerikës, në ma të parin vit, në ma të parat punë të tij, ishte sponsor i nji rezolute të Kongresit Amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i panadarë i Izraelit (e vijoi kështu/kësisoj deri më 2017), çka edh e lotimi i tij ndikoi sadopak e gradualisht që të çojnë më 6 dhjetor 2017 edhe në firmosjen e Aktit Presidencial të kësaj njohjeje nga Presidenti Amerikan Donald Trump duke pasë kundërshti të mëpastajme nga OKB me votë kundër nga 128 shtete, nji prej tyne dhe Shqipëria jonë. Edhe pas kësaj, një grup ligjvënësish amerikanë, ndër ta, sigurisht e patjetër, edhe Eliot Engel, shprehën në dhjetor 2017 mbështetje për Presidentin Amerikan Trump dhe pakënaqësinë e tyre për votën kundër në OKB, etj. Eliot Engel edhe herë tjetër, më 1995, ishte sponsori i Rezolutës së Kongresit Amerikan (të miratuar me shumicë dërmuese të votave) lidhur me aktin e zhvendosjes së Ambasadës Amerikane në shtetin hebraik të Izraelit, prej nga Tel-Avivi për në Jeruzalem, jo ma vonë se me 31 maj 1999. Engel ishte sponsor edhe i Rezolutës së Kongresit Amerikan (v. 2006) që i dënonte sulmet palestineze me raketa (nga Hamasi, etj.) ndaj civilëve izraelitë, etj. Pra, çështja e prushtë, e thuktë, mbishekullore, e Izraelit hebraik e demokratik, është një nga çështjet madhore, ideale, përparësore të jetës së tij, një çështje me sakrifica, sfida e realitete kontributore edhe të tij. Mbetemi me shpresim plotor që kongresmeni Engel do të lobojnë me kongresmenët e senatorët hebrenjë amerikanë, që edhe Izraeli ta njohin shtetin e ri të Kosovës dhe bashkarisht të ndikojnë fuqishëm e pandalshëm në politikën botërore për Kosovën.
Në se ka ndonjë shtet tjetër, pas Amerikës e Izraelit, që kongresmeni amerikan Eliot Engel ka dhanë ma shumë: kjo është nji dhe vetëm nji: kjo është vetëm Kosova, për të cilën ka dhanë gjithçka ka mundur dhe gjithçka ka ditë nga ndërgjegjia e tij qytetare amerikane, nga karriera e tij politike, nga besimi jahudi hebre, nga dashuria për Kosovën. Eliot Engel, edhe para një viti, prej Prishtine (nëntor 2018) do të deklaronte botnisht: “Kosova është shtëpia ime e dytë”.
Çdo mik i Amerikës, çdo vëzhgues i politikës së kohës, me siguri e ka vënë re se politikanët e lartë shqiptarë në dy shtetet shqiptare: Shqipëri e Kosovë, nga trevat etnike shqiptare në Maqedoni, Malin e Zi e Luginën e Preshevës, sa herë shkojnë për vizita zyrtare në SHBA, në ma të parin personalitet të madh amerikan, ndër të parët zyrtarë të lartë amerikanë, që i takojnë zyrtarisht e miqësisht, është kongresmeni Eliot Engel, sepse ai është një tjetër “derë e hapur për Shqiptarët”, prej nga shpeshtas i çon mirësisht dhe në/nëpër “sallone të politikës së madhe amerikane” të kohës së sodit. Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së,–i partisë në pushtet, i partisë parlamentare kryesore shqiptare, e cilëson kongresmenin Engel, si “miku i madh i të gjithë Shqiptarëve…me kontribut të madh për Çështjen Shqiptare në Ballkan”.(Shkup, 3 korrik 2015).
Sigurisht, në vite e dekada të fundit, kur flasim për kontributet e Amerikës për Shqiptarët, veçanërisht për Lirinë e Pavarësinë dhe për Shtetësinë e Kosovës, e kemi në vizionin tonë, në vlerësimin e nderimin tonë, edhe emrin, portretin, veprimtarimin e veprat e mira të kongresmenit amerikan Eliot Engel, siç shprehimon dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ruçi, në një mesazh përshendetjeje:“Populli Shqiptar sheh në personalitetin tuaj mbrojtësin më të spikatur të çështjeve të Shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës për më shumë se tri dekada…”(Tiranë,05.01.2019).
Eliot Engel është nga liderët e lartë amerikanë që e sheh Kosovën me mendje e zemër (e ka në mendjen e zemren e tij), në vazhdueshmëri e përditshmëri, në të gjitha anët e me të gjitha hallet e arritjet e saj, sikur të ishte një shqiptar i vërtetë. Apo, siç e thotë kryeministri i Kosovës, Haradinaj: “për popullin e Kosovës emri i Engel është ikonë e miqësisë së përjetshme me ShBA”(Prishtinë, 4.01.2019). Ai, Eliot Engel, për Çështje të Kombit Shqiptar, për arritje e problematika panshqiptare, flet shpirtërisht, parimisht e institucionalisht në Kongresin Amerikan e kudo tjetër: flet Shqiptarisht.
3.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel, “një ndër figurat më emblematike dhe historike për ne Shqiptarët si dhe për botën demokratike të rajonit tonë”, siç e cilëson (New York, 06.07.2018) atdhetari, biznesmeni e filantropisti Lazim Destani–Nderi i Kombit nga Tetova në Maqedoni, renditet ndër politikanët veteranë të Amerikës së sotme të shek. XXI.
Mbi 72 vjeçar, i 17 shkurtit 1947, i lindur në Bronx (Bronks) të New Yorkut. E çka do me thanë kjo moshë për Eliot Engelin: veç diçka e shenjueme në kartën e identitetit të tij, në CV e skeda të ndryshme. Ai është plot energji, krejt vitalitet. Trup atleti. Me mendje shkenctari të politikës. Lëviz në realitete bashkëkohore amerikane e ndërkombëtare si “mal” me përvojë jete, politike, diplomacie e, pse jo, dhe kulturore e fetare. E ka një kujtesë të mirë. Është nji qytetar e politikan tipik amerikan, tipik hebre.
Eliot Engel është në nji “moshë të artë” për karierë e poste të larta politike në Amerikë, si ky i tashmi i kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan. Nuk do me thanë gja mosha për politikanë të fizikut e kalibrit të Eliot Engelit. Ka pasë Amerika edhe ma të vjetër. Ishte senatori 100-vjeçar i Karolinës së Jugut, Strom Thurmond (1902-2003), dikur kandidat për President i Amerikës, i zgjedhur senator për rreth nji gjysëm shekulli (1956-2003) e më 2001 ishte dhe kryetar i Senatit Amerikan, mik i Mbretit Leka I Zogu, i cili më 11 tetor 1972 i pati kërkue Senatit Amerikan që në Rekordet (Rekords)–organ zyrtar i Kongresit Amerikan, të botohet (dhe ashtu ndodhi) Kuvendi e Marrëveshja e Madridit (1972) që ishte për bashkimin e të gjitha forcave politike të emigracionit politik e jopolitik shqiptar nën moton e Mbretit Zog I “Atdheu mbi të gjitha”. Amerika e ka dhe Presidentin e sotëm, Donald Trump, rreth 1 vit ma i madh se kongresmeni Engel. Edhe New Yorku i ka disa kongresmenë në moshë ma të madhe se Eliot Engel, si Neta Lowey 81 vjeçe, Serrano 75 vjeç, Peter King 74 vjeç, Maloney 73 vjeç, Nadler mbi 72 vjeç.
Eliot Engel është kongresmen amerikan me peshë politike i SHBA edhe nga fakti se shteti federal i New Yorkut i ka 27 kongresmenë (6 prej tyre republikanë) duke u rendit i treti á i katërti për nga numri i kongresmenëve amerikanë: vjen pas Kalifornisë me 53 kongresmenë (7 prej tyre republikanë) e Teksasit me 36 kongresmenë (13 prej tyre republikanë). Edhe shteti Florida i ka 27 kongresmenë (14 prej tyre republikanë). Këto katër shtete federale kanë ndikime politike, ekonomike e kulturore në SHBA deri dhe në elektoriada (shpesh, edhe përcaktimore rezultatesh në Zgjedhje Presidenciale).
Eliot Engel ka peshë të (pa)dukshme në Partinë Demokratike Amerikane. New Yorku– një nga shtetet federale ma me peshë në SHBA (nga ekonomia njujorkeze, “financat manhataniane”, popullsia e tij, vendndodhja e disa institucioneve ndërkombëtare, vendbanimi i politikanëve të mëdhenj amerikanë e botërorë, etj.) duket se është nën pushtetin politik të demokratëve, pasi dy senatorët e këtij shteti dhe 21 nga kongresmenët e tij janë demokratë. Tashma, sivjet (2019-’21), demokratët kanë marrë dhe pushtetin e shumicës në Kongresin Amerikan. (Po kjo nuk do të thotë se Republikanët nuk kanë peshën e fuqinë e tyre të madhe e të shquar në New York e Amerikë dhe në Botë, pasi dhe nga 20 Presidentët e Amerikës në dy shekujt e fundit (1901-2019) janë 12 prej tyre republikanë (PR): Roosevelt (i 26-ti president), Taft (27), Harding (29), Coolidge (30), Hoover (31), Eisenhover (34), Nikson (37), Ford (38), Regan (40), George H. W. Bush (41), George W. Bush (43) e Donald Trump (i 45-ti President)). E thanun ndryshe figurativisht, krahasimisht, politikisht, po mendoj se dy partitë politike në Amerikë: Republikane e Demokratike, janë dhe si “dy duart e dy kambët politike” të Amerikës.
Në New York (në Chappaqua) jeton e veprimtaron (ndër)kombëtarisht dhe Familja Presidenciale Klinton, dy personalitete epokale: Bill Klinton e Hillary Klinton, dy nga miqtë e mëdhenj të Shqiptarëve, me të cilët ka një miqësi të veçantë edhe kongresmeni demokrat Eliot Engel, që shpesh herë bisedat e tyre ndërveti kanë çue deri në vendimmarrje amerikane për Kosovën e Shqipërinë, për çështje shqiptare në Ballkan, sidomos para e gjatë Luftës në Kosovë. Presidenti Amerikan Bill Klinton, më 24 mars 1999, disa orë para fillimit të Luftës në Kosovë, pati një bisedë speciale e koinfedenciale me kongresmenin amerikan Eliot Engel, mik i madh i Kosovës.
Kongresmeni veteran, demokrati Eliot Engel, është njeri e politikan miqësor jo vetëm me demokratët e Kongresit, Senatit e Shtëpisë së Bardhë, por edhe me presidentët republikanë të Amerikës, edhe me senatorë e kongresmenë republikanë, me Sekretarët republikanë të Shtetit Amerikan (për çka ka marrë ka’i’herë kritika politike e mediatike dhe nga të Partisë së tij Demokratike), por kjo mirësjellje politike parimore e ka’i’herë pragmatiste i ka ndihmue për mirë atij. Engel mbetet gjithnji i mendimit praktik e i bindjes së tij politike, se:“pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti dhe Kongresi duhet të punojnë bashkë në mënyrë që t’i kryejnë punët për popullin amerikan”(“Daily News”, 28 shkurt 2017).
Kongresmeni Engel ka qënë një nga përkrahësit politik kontributor (sponsori kryesor ishte senatori republikan Bob Dole) i Ultimatumit të 25 Dhjetorit 1992 (“Paralajmërimi i Krishtlindjeve”) i Presidentit republikan Amerikan Xhorxh H. W. Bush (1989-’93) drejtuar Millosheviçit të Serbisë së Madhe për “Vijën e Kuqe” për Kosovën.
Engel, sipas “Roll Call” (gazetë e Capitol Hill, tetor 2017) është një avokat i vjetër në ligjëvënësin amerikan për shqiptarët e Kosovës. Ai ishte ndër ligjvënësit e parë që u bëri thirrje administratës së Klintonit, që të ndërhyjë në Luftën e Kosovës kundër forcave ushtarake e policore të Presidentit Sllobodan Millosheviç. Ai, më vonë, së bashku me kolgët e tij miq të shqiptarve në Capitol Hill, shtyu Administratën Bush, që Shtetet e Bashkuara të njohin Kosovën, kur shpalli Pavarësinë e saj, në 17 Shkurt 2008.
Kongresmeni Engel i ka kërkuar shpjegime e llogari edhe administratës demokrate të Departamentit Amerikan të Shtetit (DPA), si më 2 mars 2012 në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan donte shpjegime-shtesë për Kosovën nga Sekretare e Departamentit Amerikan të Shtetit, Hillary Clinton (2009-’13) ku, mes tjerash, ai, theksoi: “Po shpresojë se SHBA-ja do të kërkoj mënyra shtesë për ta mbështetur edhe më tutje Kosovën në këtë proçes, përfshirë këtu Programin e Mijëvjeçarit dhe duke shtuar presionin për ardhmërinë e Kosovës në BE” dhe, për ma tej e ma shumë, ai donte siguri nga DAP se “Serbia do t’i zbatojë detyrat që ka marrë me rastin e arritjes së Marrëveshjeve me Kosovën”.
Kongresmeni amerikan Eliot Engel iu ka drejtuar shpesh me letra zyrtare, ka folur gjithato herë në takime të drejtpërdrejta të planifikuara, kërkuara apo rasti, edhe me dy presidentët demokratë amerikanë të dekadave të fundit, Bill Klinton (1993-2001) e Barak Obama (2009-’17), lidhur dhe me çështje panshqiptare në Ballkan, në Kosovë e Shqipëri, Maqedoni e Malin e Zi, Luginën e Preshevës.
Edhe Pacolli, zv/kryeministër e ministër i Jashtëm i Kosovës, jep vlerësime lartnore e meritore duke cilësue përcaktimisht se kongresmeni Eliot Engël është një “zë i hershëm dhe i fortë për Kosovën” (07.11.2018), se “Engel ishte me ne, kur miqtë nuk ishin të shumtë, Engel ishte pranë nesh, kur e ardhmja e jonë nuk ishte edhe aq e sigurtë. Engel ishte me ne në luftë, në paqe, në okupim, në liri.Për Kosovën, Engel është hero i cili bashkëndjeu me të gjitha momentet tona, njëherësh maratonist i politikës përkrahëse të SHBA-ve, për popullin dhe shtetin më proamerikan në botë”(Prishtinë, 04.01.2019).
Kongresmeni Engel i shkruante letër Presidentit Obama e përfaqësuesve demokratë e republikanë të Senatit Amerikan (25 korrik 2010) për dyfishim e përpjekjeve për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga miq e aleatë të Amerikës në Botë.
Kongresmeni Engel, në krye të 20 kongresmenëve demokratë e republikanë, i shkruante letër Presidentit Amerikan Barak Obama (17 shkurt 2011) që Kosova e Ballkani Jugor të jenë përparësi e SHBA-ve.
Kongresmeni Engel ishte firma e parë në listën e 40 kongresmenëve republikanë e demokratë që i shkruanin letër Presidentit Amerikan Barak Obama (11 shkurt 2014) për integrimin e Maqedonisë e të Malit të Zi në NATO, që Kosovës t’i ofrohet një vend në Partrenitetin për Paqe, etj.
Kongresmeni demokrat Eliot Engel, si lotues i madh amerikan për sigurimin e mbështetjes amerikane e ndërkombëtare për Pavarësinë e Kosovës, pati ndikim e bashkëpunime të tij (edhe për çështje të tjera panshqiptare në Ballkan) edhe me Presidentin republikan Amerikan Xhorxh W. Bush (2001-’09).
Kongresmeni Eliot Engel, pavarësisht kritikave, ndonji dyshimi politik publik e qëndrimeve vetiake e institucionale, partiake e politike ndaj Presidentit aktual Amerikan Donald Trump, ka pasë e ka ndikime e bashkëpunime të tij për interesat gjeo-strategjike të Amerikës në Ballkan, kryesisht e zyrtarisht nëpërmjet Sekretarëve të Shtetit Amerikan, Tillerson e Pompeo, çka do të jetë ma e domosdoshme dhe e shpeshtë me zgjedhjen e tij në krye të Komisionit për Politikën e Jashtme të Kongresit Amerikan. Engel e ka ngritë zanin edhe në muajt e fundit tek Presidenti Trump me letrat e tij zyrtare duke kërkue drejtësi për viktimat e Luftës së fundit në Kosovë e dënimin e kriminelëve serbë (29 dhjetor 2018); për antarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO (7 shkurt 2019), etj.
Eliot Engel, kësisoj, kështu, ka një peshë e rol të ndjeshëm në politikën amerikane për shkak të kohës, përvojës, funksioneve e detyrave në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA; edhe për shkak të qëndrimeve të tij të drejta e të shpeshta për Kosovën e Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e Zi e Luginën e Preshevës (si dhe për çështje e problematika në Amerikën e Jugut, Europë, Azi, Afrikë, etj.); për shkak të miqëve të tij të shumtë në të gjitha kontinentet e botës; disi edhe për shkak të numrit të madh të kongresmenëve në New York; sigurisht edhe për shkak të njohjeve e lidhjeve vetjake, partiake, origjinës së tij nacionale, etj. me kongresmenë e senatorë demokratë e republikanë, me ish-presidentë të Amerikës, me personalitete të larta të Amerikës që kanë shërbyer apo shërbejnë në Senat e Kongres, në Departamente Amerikane të Shtetit e në Shtëpinë e Bardhë.



