E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

DASH: Kosova dhe Serbia të jenë krijuese në gjetjen e zgjidhjes

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të tregohen krijuese dhe elastike në gjetjen e një zgjidhjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Departamenti i Shtetit thotë se “tani është koha që palët të jenë krijuese dhe elastike. Zgjidhja duhet të vijë prej tyre dhe vetë ata të mbajnë përgjegjësi për të. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dëgjojnë dhe të ndihmojnë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.”

Departamenti i Shtetit thotë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për stabilitetin rajonal. Ai do të hapte gjithashtu një rrugë të qartë për të dy vendet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara, – thuhet në deklaratë, – mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.”

Komentet e Departamentit të Shtetit pasojnë idetë e hedhura kohëve të fundit për ndarjen tokësore të Kosovës e deri te shkëmbimi i territoreve, që nënkupton që veriu i Kosovës me shumicë serbe t’i bashkohet Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë .

Deri tash idetë e tilla nuk janë hedhur në kuadër të bisedimeve dhe janë kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të drojës për ndikimin që mund të kenë më gjerë në rajonin e Evropës Juglindore, që ende po rimëkëmbet nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet të dyja palëve pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  3. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  4. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh
  5. Aktualitet

    Turizmi botëror drejt rekordit: 1.57 miliardë mbërritje më 2026

Më shumë nga Zëra