Kriza e Coronës i ka prekur shoqëritë në forma të ndryshme. Më shumë hendeku është rritur mes shteteve dhe shoqërive që dhe më parë ishin të cënuara nga pasojat e digjitalizimit dhe të mbrojtjes së klimës.
Nëse ka qenë rastësi, ishte një rastësi e lumtur: Në të njëjtën kohë me fillimin e Forumit Ekonomik Botëror, WEF këtë vit për shkak të Coronës të zhvilluar virtualisht, fondacioni Bertelsmann publikoi studimin e fundit. Në një kohë që themeluesi i WEF, Klaus Schwab me vendimmarrësit në botë kërkon “në vitin qendror 2021” të gjejë rrugëdalje nga kriza, studimi i Bertelsmann tregon se sa keq janë të përgatitura vendet e industrializuara për krizën. Kancelarja Anela Merkel bëri të ditur në “Javën e Axhendës së Davosit” “transformime të pëmasave gjigande historike” duke iu referuar digjitalizimit dhe mbrojtjes së klimës. Të dhënat e studimit tregojnë, se që para Coronës në shumë vende të 41 anëtarëve të OECD-së, Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin rritja ekonomike kishte rënë, se kishte pasur regres në drejtim të mbrojtjes së klimës, rreziku i varfërisë ishtë rritur, dhe ishte ulur aftësia për reforma. Pasoja: Demokracitë janë vendosur nën trysni.
Si për ta provuar këtë, së fundmi të rinj të dhunshëm në Holandë në disa qytete bënë shkatërrime edhe pasi disa populistë të djathtë nxitën më parë urrejtjen.

Dr. Thorsten Hellmann
Corona nxjerr në pah dallimet në shoqëri dhe i ashpërson
Si bazë e studimit të fondacionit Bertelsmann janë të ashtuquajturit “Sustainable Governance Indicators”, SGI. Në krahasimin vjetor shikohet qëndrueshmëria e rezultateve të punës së politikës, aftësia përballuese e standardeve demokratike ndaj krizave dhe cilësia e mirëqeverisjes. Shumë vende jo vetëm që kishin arritur shumë pak në drejtim të uljes së borxheve, në drejtim të transformimit të ekonomisë drejt një ekonomie promjedisore dhe në drejtim të ngritjes së sistemeve të sigurimit shoqëror, thotë Thorsten Hellmann, një nga autorët e studimit. Në intervistë me DW, ai i referohet rritjes së dallimeve mes vendeve të ndryshme. “Duhet të kemi frikë që pandemia e Coronës këto dallime do t’i nxjerrë në mënyrë të pamëshirshme në pah dhe sidomos do t’i ashpërsojë më tej. Shqetësimi i Hellman: Nëse Corona sjell më shumë varfëri, më shumë dallime në të ardhura, atëherë nga kriza e Coronës mund të pasojë kriza sociale. “Ky si rregull është terreni ushqyes për populistët. Ekziston rreziku që standardet demokratike të pësojnë edhe më tej erozion.”




