E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

GISHTI I BOBANIT!

Nga Emin Azemi –Tetovë, Maqedoni

Derisa dikush po feston, e dikush po proteston për gjuhën shqipe, në Kumanovë ndodhi skandali i radhës nga ana e Gjykatës së këtij qyteti, duke mbyllur një proces gjyqësor si rikualifim, me çka vrasësi me paramendim shpallet “kundërvajtës trafiku”. Boban Iliq, i cili me veturën e tij kishte lënë të vdekur vogëlushin Almir Aliu, pas një fjalosjeje me prindin e tij, tash e tutje mundet lirisht të planifikojë edhe ndonjë vrasje tjetër, sepse ai i takon një kategorie më “të zgjedhur qytetarësh”, të cilët i mbron gjykata edhe kur marrin jetë njerëzish.

Shembullin e Bobanit, që doli nga Gjykata me gishtin e mesit të ngritur, mund ta ndjekë edhe ndonjë Boban tjetër, kurse viktimë e radhës sërish mund të jetë ndonjë shqiptar. Vrasësin me paramendim ky shtet po e ngre në model të qytetarit të privilegjuar, i cili nuk ka nevojë të brengoset për ligjet e vendit, sepse profesioni vrasës tash e tutje mund të bëhet shkollë që do të nxiste lakmitë e fjetura të rrugaçëve të etur për krim e dhunë. Kjo lakmi po motivohet nga shteti, kurse autorët e krimeve ngadalë, por sigurt po trajnohen nga skuadra vdekjeprurëse e gjykatësve dhe prokurorëve tendencioz. Si ta kuptojmë ndryshe një Gjykatë, e cila harxhon aq shumë mend e djersë për të përmbysur me çdo kusht një skemë krimi, një ngjarje që kishte gjenezën dhe epilogun e saj dhe mbi të gjitha kishte motivin për të marrë një jetë njeriu, një jetë që sapo kishte filluar të ngrihet në këmbë. Almir Aliu nuk është viktimë vetëm e një krimi me paramendim, në një natë të turbullt në Kumanovë. Ai, mbi të gjitha, tash më është viktimë e një deformimi gjyqësor që padrejtësinë e ka bërë praktikë, kurse krimin e ka shndërruar në sport popullor. Të transformosh një krim ordiner në aksident trafiku, duke hedhur poshtë të gjitha dëshmitë dhe ekspertizat që e vërtetojnë të kundërtën, +et për një sistem të çoroditur (pa)drejtësie i cili nuk i jep llogari askujt kur janë në pyetje shqiptarët si viktimë. Kjo seancë rikualifikimi u mbajt pikërisht një ditë pasi u miratua definitivisht Ligji i gjuhëve dhe ky dakordim i “rastësishëm” i këtyre dy ngjarjeve, +et për një mekanizëm sajesash që funksionon në këtë shtet. Ata që e kanë planifikuar këtë epilog gjyqësor i paskan projektuar edhe efektet amortizuese, duke tempuar këtë gjykim pikërisht në ditën kur shqiptarët duhet të festojnë dhe të dehen nga jehona triumfaliste e Ligjit të shumëpritur të gjuhëve. Vendosja e këtij skandali gjyqësor nën hijen e gjuhës shqipe shpjegon më së miri menaxhimin misterioz të një sistemi konfuz , ku patjetër njëra ngjarje duhet ta eklipsojë tjetrën ngjarje.

Almir Aliu nuk do të ketë mundësi t’i gëzohet Ligjit të gjuhës shqipe, sepse një vrasës nga vendlindja e tij me gishtin e mesit kishte dashur të thotë se e ardhmja e shqipfolësve në këtë shtet nuk varet gjithaq nga sistemi i ligjeve dhe parimeve, sa varet nga arbitrariteti i shkelësve të ligjit.

Pafuqia për të vendosur drejtësi, është më makabre se fuqia e rrejshme e politikëbërjes. Lufta në mes të këtyre dy tendencave, në fakt është një rivalitet i pandalshëm që vazhdon të prodhojë dilema e paqartësi.

Kryedilema e kësaj luftë sërish lidhet me pushtetin e ri, ky i tanishmi, i cili edhe atëherë kur emëron kryeprokuror të ri, nuk arrin të krijojë diferencën me pushtetin e vjetër.

Mos harroni: Vetëm përmes diferencave dallohen e mira dhe e keqja, e zeza dhe e bardha…

Në të kundërtën, gishti i Bobanit do të bëhet referencë e një sistemi që padrejtësive të djeshme iu jep legjitimitet të sotëm.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Bota