MALI I ZI– Zgjedhja e presidentit të ri malazez duket se ka hapur debate mes kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit pas deklaratës së këtij të fundit se me zgjedhjen e Jakov Millatoviqit si president Malit të Zi do t’i hapet rruga për zhdukjen e kombit malazezas. I ashpër dhe i prerë ishte në qëndrimi i Abazoviç, i cili thotë se askush nuk duhet të brengoset për të ardhmen e vendit të tij por se secili duhet të shikojë problemet në shtëpinë e tij.
Dritan Abazoviç: Unë kam një respekt të jashtëzakonshëm për kryeministrin e Kosovës, por mendoj që gjithkush ka problemet edhe në shtëpi të vet. Për Mal të Zi nuk ka nevojë me u brengos kërkush, përveç nesh. Unë nuk kam qejf me kriju një keqkuptim, por mendoj që çdokush mundet me fjet rehat sa i takon Malit të Zi. Mali i Zi për dy vite është duke bërë vetëm rezultate të mira, është duke shku në drejtim të duhur edhe sa i takon sundimit të ligjit, drejtësisë dhe ekonomisë. Nëse ne flemë mirë në Mal të Zi, atëherë nuk ka nevojë askush që të jetë i brengosur në rajon. Ne jemi një shtet shumë paqësor dhe do të mundohemi edhe në të ardhmen të merremi me këto çështje.
Në pyetjen rreth akuzave se presidenti i ri malazezas është pro-serb dhe pro-rus, Abazoviç deklaroi se është i gëzuar për fitoren e Millatoviqit. Sipas kryeministrit në detyrë ai është një “profil pro-evropian”. Abazoviç u shpreh se Kosova dhe Mali I Zi do të kenë raporte të mira dhe korrekte nën drejtimin e presidencës së Millatoviqit.



