BRUKSEL-Bashkimi Europian është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë e bëri të ditur këtë të hënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Ky i fundit foli dhe për një takim të mundshëm mes kryeministrit të Kosvës Albin Kurti dhe atij serb Aleksandër Vuçiç.
Peter Stano: Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, [Josep] Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë.
Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitojnë të hënën Kosovën dhe të martën Serbinë, me qëllim të uljes së tensioneve të ditëve të fundit në veri të Kosovës.



