Policia e Kosovës i ka bastisur dy lokacione, prona të dy personave të dyshuar, F.M. dhe H.M., ku e ka sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës më 13 korrik. Mediat lokale raportojnë se pronat e bastisura janë të Faruk Mujkës, kryeshef i “Ibër Lepencit” dhe Hysen Muzilukajt, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Prokuroria Speciale njoftoi se “ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.”
“Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera është gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë eurosh (60.000)”, tha ajo.



