KOSOVË– Pak ditë pasi Parlamenti Europian i dha dritën jeshile liberalizmit të vizave për Kosovës, duket se qytetarët e saj nuk do të jenë plotësisht të lirë në zonën Schengen. Kjo pasi Spanja ka ndaluar në mënyrë të prerë që qytetarët e Kosovës të vizitojnë këtë shtet vetëm me pasaportë biometrike. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.
Anitta Hipper: Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, veç në njërin prej tyre.
Ky vendim i Spanjës vjen pasi ky shtet ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar. Vendet tjera që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.



