KOSOVË– Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kërkuar që Kosova të ketë draftin e saj për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo deklaroi se nuk mund të lejojë një draft të tillë nga një ekip menaxhues që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Kjo deklaratë e fortë e Osmanit vjen në një moment ku në Bruksel po zhvillohet takimi Kurti-Vuçiç me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Vjosa Osmani: Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e pare e agjendës nga ajo që u prezantua në BE. Është hap i rëndësishëm në dialog me Serbinë, do ta detyrojë Serbinë të hapë arkivat se ku gjenden dëshmitë e mbi 1600 të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Osmani tha ndër të tjera se drafti i hartuar nga Republika e Kosovës duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin e shkruar të ShBA-së.



