BRUKSEL– Bashkimi Europian ka paralajmëruar pasoja nëse marrëveshkja mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në Ohër dhe ajo e arritur më parë në Bruksel nuk zbatohet. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së Peter Stano, i cili shprehet se dy vendet e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të.
Deklaratat Stano i bëri teksa iu përgjigj disa pyetjeve lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili është shprehur se do ti zbatojë disa pjesë të marrëveshjes por disa të tjera nuk do ti pranojë. Po ashtu sipas mediave serbe Vuçiç ka thënë se, qëndrimet e tij për moszbatim të disa pikave të Marrëveshjes, ua ka shprehur qartë disa bashkëbiseduesve evropianë.
Peter Stano: Përderisa nuk komentojmë deklaratat e mundshme, pa e njohur kontekstin, dhe pa dashur të hymë në komente të secilës deklaratë rreth kësaj Marrëveshjeje, dua të fokusohem në Marrëveshjen si të tillë. Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato. Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj.



