Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë në mungesë ndaj të pandehurit me shtetësi serbe, me inicialet G.P., për veprën penale të dhunimit të një burri shqiptar, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“I pandehuri si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar”.
Sipas Prokurorisë, me këtë veprim, i akuzuari e ka kryer veprën penale, “krime lufte kundër popullsisë civile”. Prokuroria, po ashtu, ka thënë se gjyqi do të mbahet në mungesë, pasi nuk ka arritur të sigurojë praninë fizike të të akuzuarit në sallën e gjyqit.



