
Nga HARRY BAJRAKTARI – New York
Parlamenti i Kosovës, i cili përbëhet me shumicë nga deputetët shqiptarë, ka kohë që po përballet me probleme të shumta në mungesë të vullnetit për miratimin e ligjeve, marrëveshjeve, traktateve ndërkombëtare dhe ligjshmërive të tjera në interes të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Është e pakuptueshme dhe tingëllon absurde, se si veprojnë deputetët e partive politike që ata janë zgjedhur për të përfaqësuar popullin, për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe interesin e Kosovës, e jo të partive politike nga ata vijnë.
Absurdi më i madh është ku në mungesë të votave të deputetëve shqiptarë apo të refuzimit të tyre për të miratuar ligjet, marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare, duhet të lutën deputetët serbë. Kjo është shumë e padrejtë, e papranueshme dhe skandaloze ndaj qytetarëve që Kuvendi i Kosovës të mbetet nën mëshirën e deputetëve serbë, aty ku me shumicë janë deputetë të përkatësisë shqiptare. Të kthehemi vetëm 20 vjet prapa dhe të shohim ku ishim. Në çfarë pozite të terrorit serb ndodhej Kosova dhe çfarë sakrifice bëri populli ynë për liri. Nëse nuk shikohet asnjëherë prapa, nuk mund të ecet sigurt përpara.



