Nga Msc. Adem Lushaj
Inxhinieri i Gjeodezisë, Zeqë Hasaj, ishte intelektual, politikan dhe veprimtar i madh i çështjes kombëtare për Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Ai, pos që ishte ndër themeluesit e parë të degës së Partisë Republikane (PRK-së) në Deçan, dhe shumë organizimeve tjera politike e jo politike të viteve të ’90-ta, me kohën iu bashkua radhëve të atyre që rrokën pushkën në mbrojtje të vendit. Me të filluar ndryshimet demokratike të viteve 90-ta, Zeqë Hasaj, ishte vënë në krye të këtyre ndryshimeve, duke u bërë njëri nga nismëtarët e parë për formimin e degës së PRK-së në Deçan, e më vonë edhe kryetar saj. Ai, po ashtu ishte i vendosur në zbatim të Statutit të partisë, ku në njërin nga Nenet e tij, thuhej “në raport me armikun (Serbinë), dhunës duhet përgjigjur me dhunë”, përkundër pasojave që mund të kishte, personale dhe familjare. “Në Kuvendin Qendror të Partisë, inxhinieri Zeqë Hasaj zgjidhet nënkryetar i kësaj parti, e që më vonë do jetë edhe kandidat për deputet të Republikës së Kosovës. Nga aty, filluan maltretimet më të egra serbe, ndaj figurës së nënkryetarit të PRK-së, që pos arrestimeve të vazhdueshme, kishin rrahur në mënyra çnjerëzore, duke i shkaktuar edhe lëndime të rënda trupore. Përkundër këtyre, Zeqa nuk u ndal për asnjë çast, por ishte edhe më i vendosur në zbatim të Statutit të partisë, që do thoshte, “përgatitje për luftën e armatosur”. Tashmë, Zeqa ishte bërë halë në sy për Qeverinë vrasëse të Serbisë. Ai, pa hezitim u rreshtua krahas luftëtarëve të lirisë, që ishin nën emblemën e UÇK-së, gjë që ishte edhe synim i tij i vazhdueshëm.
Dhuna ndaj Zeqë Hasaj, kishte vazhduar edhe për shtatë muaj së qëndruari nëpër burgjet serbe, që pos maltretimeve më barbare, ndaj tij kishin përdor edhe elektroshokun sikurse edhe forma tjera të dhunës. Vrastarët serbo-sllavë, nuk ishin të kënaqur me ato që ia kishin shkaktuar gjatë gjithë kohës sa e kishin mbajtur në burg, por para lirimit (përkundër dëshirës së tij), i kishin dhënë injeksion, i cili doli të jetë vdekjeprurës, ngase pas shtatë ditësh që ishte lëshuar nga burgu, gjeti vdekjen.



