E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Nipat e Isa Boletinit nuk janë hakmarrës – Nga Mimoza Dajci

Pas afro dy vitesh në hetuesi, në burgun e ftohtë e të errët 313 në Tiranë, e shtruar disa herë në spitalin psikiatrik, tim atë nuk e lejuan as të komunikonte, e as të na shkruante edhe ndonjë letër. Ashtu si mijra e mijra ish të dënuar politikë të Shqipërisë gjatë periudhës së rregjimit komunist, kaloi dimrat e ftohtë nën një izolim të plotë, pa shtresë e mbulesë. Im atë ishte intelektual i formuar, por si për qindra akademistë të dënuar të asaj kohe, ky term nuk përbënte asnjë sukses për kohën e atij rregjimi të egër.
E dënuan nën nenin agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, si armik i popullit. Një periudhë të këtij dënimi e kreu në “kampin e punës” Ballsh. Aty ku po ndërtohej rafinieria e naftës.
Kur tim atë sapo e dërgojnë me kamionin e burgut, lidhur me hekura e të shoqëruar me katër policë në burgun e Ballshit, si njeri i rrezikshëm, kosovar i pathyeshëm, e që ishte për Shqipërinë etnike, e përplasin në dyshemenë e këtij burgu afër ish të dënuarve të tjerë. Dikush nga të burgosurit e njeh tim atë, e i tregon në mes të tjerëve edhe nipit të gjeneralit malazez Veshoviq, se në këtë burg kishin sjellë për dënim edhe nipin e Isa Boletinit.
Gjenerali malazez – Veshoviq, kishte pas qenë gjenerali që dha urdhër të pushkatohej Isa Boletini me luftëtarët e tij, në janar të vitit 1916 në Podgoricë. Svetko, quhej nipi i gjeneral Veshkoviqit, që edhe ky po vuante dënimin në burgun e Ballshit. Dikur e kishim patur edhe komshi, afër pallatit ku jetonim në Tiranë. Atje jetonte me gjithë të shoqen greke Kristinën e vajzën Svetllana, nja dy blloqe larg nesh. Kristina ishte rrobaqepëse shumë e zonja, arnonte rrobat e lagjes, e i bënte njëlloj si të reja. Njihej nga të gjithë për duart e saj të arta, por sigurisht këtë profesion e ushtronte fshehurazi e në njerëz të besuar. Por nuk e lanë me kaq, sigurimi i shtetit, i a gjeti anën duke arrestuar të shoqin Svetkon, të cilin edhe atë rregjimi i asaj kohe e dënoi për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
Kur Svetko mëson nga ish i burgosuri tjetër që, në burgun e Ballshit sjellin për të vuajtur dënimin edhe nipin e Isa Boletinit – Enver Dajçin bën protestë. Menjëherë shkon në drejtorinë e burgut e kërkon mbështetje ligjore, duke thënë se këtu nuk e kam jetën të sigurt, pasi këtu është sjellë për të vuajtur dënimin edhe nipi i Isa Boletinit, Enver Dajçi, të cilin xhaxhai im e vrau në vitin 1916 në Podgoricë.
Im atë kur u njoh me këtë situatë me gjakftohtësinë më të madhe shprehet: “Unë nuk jam hakmarrës. Por do të vijë ajo ditë kur Shqipëria do të jetë e bashkuar me trojet e saj, e ato krime do ti dënojë historia, e jo unë”. E më pas shtoi: “Svetkon nuk e pyeti xhaxhai i tij gjeneral Veshoviqi, a ta vras apo mos ta vras Isa Boletinin me trimat e tij, sepse ai ishte akoma fëmijë. Ky nuk ka faj, e unë nuk jam gjykatës ta dënoj për atë krim. Për mua Svetko të rrojë edhe njëqind vite të tjera, e mos të ketë aspak frikë nga unë”. Pas këtyre fjalëve në komandën e “kampit” Ballsh tim atë e ridënojnë.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërsa Svetko pasi kryen dënimin e del nga burgu, vdes pas disa vitesh në shtëpinë e tij pranë gruas Kristinë e vajzës Svetllana në Tiranë.
Ky është vërtetë një episod i shkurtër mes tim eti e një malazezi me duar të lidhura, por që tregon qartë se kosovarët, nuk ishin e nuk e janë hakmarrës, por njerëz vital që mbrojnë jetën, e kërkojnë drejtësi e paqe.

Isa Boletini lindi më 16 janar të vitit 1864, e po në atë muaj të lindjes së tij u vra pabesisht nga shovinistët malazezë më 23 janar të vitit 1916 në Podgoricë së bashku me të dy djemtë, nipat e tre bashkëluftëtarë që nuk i u ndanë për asnjë çast deri në momentin e fundit të jetës së tij. Por ai la pas nipër e mbesa plot. Luftëtarë të lirisë. Djem e vajza të reja pjesë e Ushtrisë Çlirimtare – UÇK të Kosovës, të cilët morën armët e luftuan për liri e pavarësi. Edhe sot ata nuk janë hakmarrës për krimet mostruoze serbe në Kosovë, por kërkojnë drejtësi e vetëm drejtësi. Janë pasardhësit e Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e heronjve të tjerë shqiptarë, bijtë e bijat më të mirë të këtij vendi që sakrifikuan jetën për liri e bashkim kombëtar, e jo për shtypje e vrasje, por për paqe e drejtësi.

New York, Janar

(Autorja është një nga pasardhëset e familjes së Boletinëve)

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Histori