E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Mbreti Zog I gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Me rastin e 59 vjetorit të ndërrimit jetë – Nga Ekrem Spahiu*

Më 9 prill 1961, ndërroi jetë në Paris Mbreti Zog I.Kombishqiptar humbi burrin e shtetit më të shquar dhe më me ndikim në historinë e tij moderne. Ndërkohë që vdekja e Mbretit Zog u lajmërua në gazetat më të mëdha botërore të kohës,në vendin që e kishte lindur,udhëheqja e lartë komuniste festonte, ndërsa heshtja për popullin shqiptar që kishte nostalgji për Mbretin Zog ishte e plotë.

Kolonel Hysen Selmani që shërbeu pranë Mbretit Zog I si adjutant i Tij, i ka publikuar momentet e fundit të jetës së Mbretit si më poshtë:  

Më 20 Mars 1961, ai u shtrua në spitalin “Foche”. Nuk ishte edhe aq i lodhur. Gjithmonë ishte

me ato shaka, por, pinte shumë duhan e kafe dhe hante shumë pak. Aty u zu një apartament ku Mbretëresha Geraldinë ishte gjithmonë me Mbretin. Edhe ne zumë dy dhoma për dy oficerë të shërbimit. Përditë, e vizitonin Princeshat dhe gjithë personeli i Oborrit. Javën e parë ishte fare mire. Edhe në spital pranonte vizita, e kishte bërë pothuaj si në shtëpi. Kur nisi të ndiejë dhimbje dhe dobësi, menjëherë u thirr profesori Leneger dhe doktorët e spitalit “Foche.” Ata na këshilluan të thërrisnim edhe një profesor prej Gjermanie dhe një prej Zvicrës. Kështu do të bëhej një konsultë e përgjithshme. Më 28 Mars 1961, u bë konsulta në prezencën e 6 profesorëve më kompetentë të Europës. Ata konstatuan se, përveç ulçerit, kishte dhe kancer në mëlçinë e zezë. Profesorët u këshilluan dhe pas ekzaminimesh, vërtetuan se nuk mund t’i bëhej një operacion. E panë të pamundur, sepse kishte arritur në gradën e fundit.

Më 9 prill 1961 ora 15.40, është kjo koha kur Madhënia e Tij, Zog I – Mbret i Shqiptarëve është me një lodhje të madhe. Ai i lëshoi krahun në qafë Princit Leka dhe i tha me një zë të ulët: “Lekë, tani je burrë. T’i mbani porositë që ju kam këshilluar. Pa masë, asgjë mos t’ju dhimbset për të mirën e Atdheut”.Kur mbaroi këto fjalë ngriti kokën dhe na pa të gjithëve. Me dorën tjetër mori dorën e Mbretëreshës e po shikonte të motrat. Ato ishin të këputura. Fytyra e tij ishte në qeshje si gjithmonë. Pas kësaj, nuk bëri asnjë lëvizje dhe mbylli sytë e…

Më 10 prill 1961, trupi i Mbretit Zog I u vu në një arkivol me xhama dhe u vendos për homazhe në një sallon të madh. Për dyzet e tetë orë, natë e ditë, qindra shqiptarë nga e gjithë bota erdhën e u përkulën para trupit të Mbretit duke derdhur lot e duke lutur të madhin zot për shpirtin e Tij. Presidenti i Francës, Gjenerali De Gol kishte dhënë udhëzime që refugjatët që vinin për këtë rast, të hynin në Francë pa viza.

Më11 Prill 1961, në orën 13.00 është përgatitur ceremonia e varrimit të NMT Zog I – Mbretit të Shqiptarëve. Arkivoli qëndronte përmbi supet e shqiptarëve dhe ishte i mbuluar me Flamurin Kombëtar. Përmbi stemë, dukeshin me shkronja të mëdha shkrime të arit, fjalët që gjithmonë Mbreti Zog, i kishte në zemër: “Atdheu mbi të gjitha.” Lotët e shqiptarëve dhe të gjithë miqve e kishin rrethuar Mbretëreshën dhe Princin Leka. Me një kortezh shumë madhështor u zhvillua edhe ceremonia e përcjelljes së trupittë Madhërisë së Tij Zog I – Mbret i Shqiptarëve për në banimin e përkohshëm në “Thiais Parisien”.

Në njohje e vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së Tij historike e kombëtare, mbas 51 vitevemë 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, shteti Shqiptar organizoi një ceremoni madhështore zyrtare për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, ndërtuar pasaçërisht për këtë ditë të shënuar. Ky mauzoleum u ngrit pranë themeleve të mauzoleumit të Nënës Mbretëreshë Sadije, i cili u shkatërrua më 17 nëntor 1944. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike. Në këtë mauzoleum prehen eshtrat e Mbretit Zog I, Mbretëreshës Geraldinë, Mbretit Leka I dhe Mbretëreshës Suzan.

Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, në këtë ceremoni i ka akorduar Naltmadhnisë së Tij Zog I – Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” (pas vdekjes), me motivacionin:
“Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

___________

*Ish – deputet & kryetar i PLL

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Histori