E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Martesa e Gjon Kastriotit, të birit të Skënderbeut

Alessandro Castriota Scanderbeg

Duke iu referuar figurës së Gjon Kastriotit, birit të Skënderbeut, për të cilin kemi publikuar kohët e fundit një profil biografik (Rrënjet Nr. 2 i vitit 2018), ne dëshirojmë të shtojmë një lajm të rëndësishëm, i cili deri më tani i ka shpëtuar historianëve më mendjemprehtë: data dhe vendi i saktë i martesës së vetë Gjonit me Erina Brankoviç, e bija e mbretit Llazar të Serbisë dhe Elena Paleologo, vajza e madhe e Thomas Despotit nga Morea.

Në tetor të vitit 1472, Gjoni është në Napoli, në gjykatën aragoneze në Kastel Nuovo (ku është vendosur banesa e nënës së tij Andronika), për të pritur gruan e tij të premtuar Erina. Ajo arrin në Napoli, e transportuar nga anijet mbretërore, më datë 28. Lajmi vjen tek ne nga një dëshmitar okular i jashtëzakonshëm, i ftuar në dasmë: Zakaria Barbaro, orator venecian në Napoli nga shtatori i vitit 1471 deri në shtator të vitit 1473. Këtu janë fjalët e Barbaro˗s në njoftimin e dërguar tek Kryesia e Venedikut një ditë pas ngjarjes:

“Dje hyri bija e Dhespotit të Serbisë, e ardhur nga zotëria i Shenjtes Maura me njerëzit e besueshëm të mbretit, që ajo të martohet me të birin e Skënderbeut që është këtu tek mbreti, kundër së cilës i shkoi don Zhuan (i biri i mbretit, komandanti abat i Montekasino˗s, pastaj kardinali i SRC, ndr) me gjithë pjesën tjetër të Këshillit dhe qeshë ftuar edhe unë; ajo është tejet e bukur, 13˗vjeçare dhe u ul në Kastel Nuovo në një dhomë të zonjës Leonora (e bija e mbretit, në 1473 u martua me Ercole d’Este, Duka i Ferrarës, ndr) dhe me të mbërritur qe martuar. Shpresoj të ketë arritur në pikë të mirë, pastaj ky bir i Skënderbeut ka hirin e mbretit”[1].

Për të ikur nga Serbia, e pushtuar nga Turqit, Erina kishte zbritur me nënën e saj Elena në Santa Maura (Lefkada, në Greqi), toka e Toko˗s, ku motra e saj Milica Brankoviç ishte martuar me Leonardo III Toko, despoti i Artës (motra tjetër e Irena, Maria Elena, ishte martuar me mbretin e Bosnjës, Stefan Tomaseviç). Fakti që “rrethin mbretëror” ka shkuar në Santa Maura të bën të mendosh për një rol parësor të Mbretit Ferrante në kombinimin e martesës së Gjon Kastrioti Skënderbeut me vajzën e despotit të Serbisë, Irene Brankoviç. Është e qartë se kjo martesë ka një kuptim të qartë “politik” për gjykatën aragoneze: të shtrijë, përmes familjes Kastrioti Skëndërbeu, si besnikë ndaj saj, ndikimin e saj në Ballkan në një funksion anti-turk.[2] .

Dasma u zhvillua një javë më vonë, më 4 nëntor 1472, siç vë në dukje vetë ambasadori venecian:

“Madhëria mbretërore sot më ftoi që unë të gjendem në martesën e gruas së birit të Skënderbeut, kur qe akoma ambasador de Uson Cassan dhe ai i Ferrarës. Dhe, përpara se të shkonim ne Meshë, mbreti më thirri etj…”.[3]

Zaccaria Barbaro gjithashtu na informon se babai i Irene, despoti i ndjerë Lazaro Brankoviç, kishte një të ardhur vjetore prej një milion dukatësh, një shifër e madhe për ato kohë[4].

Ky lajm për një pasazh të rëndësishëm në jetën e Gjonit paraqet një pjesë të rëndësishme në rindërtimin e biografisë së djalit të Gjergj Kastriotit, i njohur si Skënderbeu, dominus Albaniae[5].

Gjon Kastrioti Skënderbeu, një skicë nga Pietro Cavoti e marrë nga libri i Luigi Galante dhe Giancarlo Vallone: Pietro Cavoti, portretet e të shquarve salentinë, Qendra e Studimeve Salentine, Lecce 2016.

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi


[1] Zaccaria Barbaro, Korrespondenca diplomatike veneciane nga Napoli. Dërgesat. Ist. Poligr. i shtetit, Romë 1994, f. 408.

[2] De Filippo M.S. Ferrante d’Aragona dhe kërkimi i një hegjemonie politike napolitane në Itali. Doktoraturë në histori, Universiteti i Studimeve Napoli Federico II, udhëheqës: prof. Senatore F, bashkë-udhëheqës: prof. Stori F. Vitet akademike 2008-2011.

[3] Zaccaria Barbaro, Korrespondenca diplomatike veneciane nga Napoli. Dërgesat. Ist. Poligr. i shtetit, Romë 1994, f. 418.

[4] Zaccaria Barbaro, Korrespondenca diplomatike veneciane nga Napoli. Dërgesat. Ist. Poligr. i shtetit, Romë 1994, f. 413.

[5] Dominus Albaniae, nga latinishtja: Zoti i Shqipërisë (Zotëria i Shqipërisë) [shënim i përkthyesit].

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Histori