E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

MALËSORËT E NIKAJ- MERTURIT PARA NJË SHEKULLI – Nga Gjon Neçaj

Prej kohësh kisha planifikuar që në faqet e gazetës “Nikaj-Mertur” të shkruaja diçka për një nga zonat më të thella të veriut e njëherazi më të varfrat, më të braktisurat, por edhe nga më të veçantat, Nikaj- Merturi. E kjo më nxiste për të shkruar. Por duke hulumtuar dhe mësuar më tepër për banorët e kësaj krahine, mësojmë se mbi 70 % e tyre tashmë kanë migruar brenda vendit dhe të tjerë shpërndarë nëpër botë. Fise të tëra janë larguar nga viset e tyre për një jetë më të mirë për vete dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Mirëpo nuk është e tepërt të shkruajmë se nga kjo krahinë kanë dalë mbi 900 kuadro të lartë në fusha të ndryshme, që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në jetën e vendit.

Bijtë e kësaj krahine janë shquar si intelektualë në arsim, shkencë, kulturë dhe letërsi. Por e veçanta e tyre është se, çdo vit nën kujdesin e komunës mblidhen dhe zhvillojnë folkfestën e Nikaj Merturit, duke ruajtur kështu traditat, doket dhe zakonet e saj. Nga kjo krahinë, siç hulumton poeti dhe biri i saj, Anton Papleka, janë ruajtur deri në ditët e sotme këngë mbi 400 vjeçare si: “Duel m’gurit bukuria”, “Kapërceva dy tre male”, etj.

Veçantitë e kësaj zone janë në ritet pagane: të vetmit në Shqipërinë e Veriut që vajtojnë të vdekurin nga kori i burrave, të vetmit në Shqipërinë e veriut që festojnë natën e Buzmit ndryshe nga viset e tjera. Në Nikaj Mertur ndodhet kisha më e vjetër në veri. E folmja e kësaj zone dhe fjalët e shprehjet e rralla që përdoren nga banorët janë të veçanta, thonë studiuesit. Arkitektura e ndërtimit të kullave me frëngji është karakteristike në Nikaj Mertur. Në Curraj Epër ndodhet, tashmë e vetmuar, kulla 200 vjeçare e ngujimit.

Gjithashtu kisha e Currajve të Epërm mban mbishkrimin e viteve 1800.

Për të plotësuar më tepër portretin e malësorëve të kësaj krahine, po citojmë shkrimin e Pal Dukagjinit, sekretarit të At Gjergj Fishtës, shkruar një shekull më parë, me titull: “Shqiptari i maleve të veriut-nikaj merturasi”, ku citojmë në origjinal: “Shtatnaltë, ije-hollë, shpatullgjanë, gjak-kulluet, si vena ne gastare. Synin gacë xixëlluese nën vetullat e zeza, rrashtën karakteristike te maleve dinarike, banori nip i Lekës, paraqet tipin e squet te veriut pa moterzime as kryqëzime race. I pastër në gjuhë, me nji gjallësi lumenjsh që rrëzohen shkëmbinjësh, ma i pastern ne doke. I kadalëshem në kuvend dhe i matun në urti, i peshuem në gjykime, i prem në vendime, i shpejtë në veprim, Lakonik në shprehje, i pasun në fytyrzime e shembëlltyrë të përshtatuna…

Gojtar ne log burrash, ulun përreth, kur rendi ti takojë me folë dhe të ndreqet në gjuj për të përshtatun kanunin ndër pleqni të fisit a por kur janë për tu marrë vendime me randësi për të mbaren dhe të mirën e Bajrakut. Bujar dhe fisnik në shtëpi, qi deri natën vonë rrinë çilë për të pritun miq, të njoftuem e te panjoftuem, e deri anmikun, udhëtarin që i bjen për shteg t’oborrit a drumit, qi kalon asajt, të vorfën e lypsa, qi erren jashtë pa ditë se kujt me i msyme. Kulla shumë katëshe e kasolla përdhese në mal marrin ngjyrë feste, kur Zoti i harton me kambën e mikut përherë të deshiruem. Besnik në fjalë e premtime të dhanuna, të cilat vetëm deka i pezullon, dheu i zi shban.

Përfjale, qi del ka del shpirti, e beset e shtërngueme, ep jetën, shkrin robi rob, djeg kullë e fortesë, shkretnon mal e vrri. S’din dredhi përse s’don të gënjejnë , s’mrrinë me u paraqitë shka s’asht, përse s’pranon të jetë fletë, qi luen era, as pendël qi ban fryma. U edukue qysh në fëmini me e que jetën nën prizmën e nderit pa të cilin njeriu asht i dekun. Para erzit vehtjak a familjar kanuni i mësoi vetem dy rrugë: gjakun, faljen por jo ligshtin.”

Ky ishte malësori i Nikaj-Merturit skalitur prej Pal Dukagjinit para një shekulli. A thua brezi i sotëm, i ikur nga vendlindja, do t’i ruaj këto virtyte të mrekullueshme?!…

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Histori