E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Selim Braha (Doçi), ishte burrë! -Ose, Revolja mbi tavolinë – Nga Zeqir Lushaj

Qeleshexhiu kosovar, e kishte shtëpinë në Pazar të Ri, në mes të Tiranës. Këtu e 20 vjet të shkuara, trokita, për herë të parë në derën e Hajdar Kastratit, aty, djathtas, në katin e dytë, sipër tunelit të pallatit. Doja një qeleshe për babën, për t’ia dërguar në Tropojë. Hajdari, me mirësjellje, më futi në shtëpi, në dhomën e pritjes, më solli një karamele dhe, u ul afër meje, duke filluar menjëherë bisedën:

– Të futa në shtëpi, brenda, o djalë, se kam respekt për tropojanët. Ju, tropojanët, jeni burra të mirë, jeni burra me besë!, – tha, me një bindje admiruese.

– Ka turlifarë tropojanësh, axha Hajdar, – e ndoqa unë bisedën, për t’u treguar edhe pak modest përpara atij komplimenti shumë joshës.

– A e njeh Selim Brah Doçin, – more djalë? – pyeti, tërë seriozitet, ai burrë thatanik, i gjatë dhe shumë energjik, tipik malësor.

– Po, – i thash, me buzë në gaz. – E njoh mirë, Selim Brahën.

Baca Hajdar, mu afrua edhe më shumë. E mbështeti dorën e tij, mbi dorën time, me shikoi ngultazi në sy, dhe më tha:

– Kapuçin për babën, do ta zgjedhi prej ma të mirëve. Por, do të vonoj pak kohë, se due me të tregue diçka për Selim Brahën. Meqenëse punoke gazetar në “Zëri i Rinisë”, eeeh, kushedi, jetë i thonë kësaj, ndoshta edhe mund të duhet dikur. Dhe, i përqëndruar maksimalisht, tërë pasion, filloi të më tregonte:

… Ishin vitet e para të çlirimit, pas luftës… Kohë të vështira. Fukarallëk i madh. Bandat, ishin akoma në kambë… Me një kalë, të ngarkuar me mallra të ndryshme, po vija për herë të parë në jetën time, nga Gjakova në qytetin e Bajram Currit. Isha nisur nga Gjakova, e, ato mallra, do t’i çoja në Lekbibajt e largët, edhe, të paktën 10 orë rrugë, nga Kolgecajt, siç quhej at’here. Hotel nuk kishte. Ç’farë hoteli në ato kohë, o bir!… Isha, jo i lodhur, por, i dërmuar. Njeri të gjallë nuk njifsha. Ku të mbytesha? Ç’ka me ba?…

Shoh, se afër meje, po kalon një burrë. Një burrë i gjatë, me një paraqitje tamam, fisnike. Nuk kisha rrugë tjetër, dhe ju drejtova atij burri, dhe e pyeta se, ku mund ta kaloja këtë natë, sonte? Ky burrë i vërtetë, e kishte kuptuar gjendjen time, pa folë unë, mirë hala. Pa një, pa dy, më tha:

– Këtë natë, do ta kalosh, në shtëpinë time, o mik!  Dhe,faaap, ma kapi kalin për freri!

U befasova, por, i bindur se kam të bajë me një njeri të vërtetë, i shkova fill mbrapa, pa e pyet asnjë fjalë tjetër. Mbas pak minuta rrugë, më futi në oborrin e shtëpisë. E shkarkuam kalin, e rregulluam mallin, dhe, Selim Braha, më prini, drejt e në dhomë të burrave. Më bani një pritje, shumë të mirë. Jo si njeri që u takuam në rrugë, por, sikur më kishte thirrë mik! U kenaqëm me muhabet… Eeee, …

… Eeee, kur erdhi koha të flemë (se kjo, është kryesorja, e kësaj bisede) Selim Braha, më shtroi mirë e mirë, në dhomë të burrave, dhe më tha se: – Derën, e kie me çelës nga brenda, dhe, në daç, mbylle. Atëherë, me shumë lezet, pa thanë asnjë fjalë tjeter, hoqi revolën, që e kishte në brez, dhe, e vendosi në tavolinë, afër shtratit, ku do të flija unë! Aty e la! Tha: – “Natën e mirë”!  Dhe, doli…

Hajdar Kastratit, ju mbushën sytë me lotë. Me një za, që tashma i dridhej nga emocioni, shtoj:

– Selim Braha, ishte burrë!… Dhe, u ngrit tërë energji, i lumtur se, tregoi një mbresë,nga më të pashlyeshmet e jetës së tij. Dhe, sigurisht, këtë gjest burrërie të Selim Brahës, këtë befasim dinjitoz e fisnik, këtë “roman” të Hajdar Kastratrit, unë, jam i pari që po e shkruaj në gazetë, por, nuk isha i pari që po e dëgjoja…

Kaluan, jo më shumë se dy minuta, dhe, Hajdar Kastrati,hyri përsëri në dhomën e pritjes, ku isha unë. Tashma, me kapuçin e bardhë të babait tim në dorë…!

Shengjin, 13 Shkurt 2019-

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Histori