Të shkruash për dinastinë Gjika do të mjaftonte edhe një arësye e vetme si për shembull ruajtja ndër vite e identitetit shqiptar, apo nxjerrja e disa princave sundues për fronin e Moldavisë dhe të Vllahisë. Madje do të mjaftonte vetëm një princ sundues që kjo familje të bënte histori. Por ja që nuk ekziston një arsye e vetme, madje kemi disa arësye madhore për të shkruar një libër për Gjikajt në shqip. Ky do të jetë libri i parë në shqip për ta. Nuk dihet se pse ka ndodhur kështu, kur janë përkthyer dhe vazhdojnë të përkthehen libra që tregojnë njerëz dhe realitete krejt të zakonëshme për jetën shqiptare. Ndoshta harresa e ka nji emër, pasi në botimet e shumta për Elena Gjikën kalohet fare përciptas fakti se kjo shqiptare e shquar është pinjolle e një familje të shquar princërore që ka jetuar e sunduar në Rumani.
Kjo familje që po shkëlqen që nga viti 1658 e këtej, për plot treqind e pesëdhjetë vjet, rreth shtatëdhjetë vjet i ka vite sundimi në Moldavi dhe në Vllahi, me dhjetë princa sundues. Nuk janë vetëm princat sundues që i dhanë famë dinastisë Gjika, pasi gjatë gjithë kohës dhe pandërpreje pinjollë të saj kanë mbajtur funksione të rëndësishme, duke filluar me postin e lartë të Dragomanit të Madh të Perandorisë Osmane dhe për të kaluar në funksionet e larta, në oborret princërore të Vllahisë dhe Moldavisë. Përmendim se nga Gjikajt kanë dalë gjashtë Mare Ban (Guvernator i Madh i Principatës), funksioni i dytë më i rëndësishëm pas princit sundues, dy Kryetar të Divanit të Principatës, njëmbëdhjetë kryekancelar, dy komandantë të përgjithshëm të ushtrisë, tre komandantë të Oborrit Princëror, pesë guvernatorë të provincave të rëndësishme, etj. Po familja Gjika shkëlqeu edhe pas bashkimit të principatave në Rumaninë e bashkuar. Ajo dha për Rumaninë edhe dy Kryeministra, dy kryetarë Senati, shtatë ministra, gjashtë deputetë, katër prefektë, gjashtë gjeneralë, nëntë ambasadorë, një kryetarë të Gjykatës së Lartë, një Kryetar të Akademisë së Shkencave, tre akademikë, një Kryetarë të Lidhjes së Shkrimtarëve e shumë personalitete të tjera të shquara. Një meritë të padiskutueshme në shkëlqimin e Gjikajve kanë patur vajzat dhe gratë e familjes. Vajza e tyre, Elena Gjika është konsideruar si njëra ndër femrat europiane më të shquara të kohës së vet. Mirënjohje europiane ka dhe nusja Aurelie Gjika. Gjithashtu, vajza të tjera të Gjikajve, më pak të shquara se këto, u lidhën me dyer të fuqishme princërore. Përmendim se tre vajza të Gjikajve u martuan me princa sundues, dy me dragomanë, një me kryeministër, një martuar me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve, dy martuar me ministra. Dhe si për të balancuar këtë meritë të natyrëshme femërore, edhe djemtë e Gjikajve u lidhën me vajza të familjeve princërore në Rumani dhe kudo në Europë. Ndër ta ndoshta i’a vlen të përmendim se dy pinjollë të Gjikajve u martuan me vajzat e kryeministrave të Rumanisë.
Shqiptarët në Rumani
Shqiptarët në Rumani përmenden për herë të parë në kohën e Mihail Trimit. Në një raport të autoriteteve habsburgase në Transilvani shkruhet “Pesëmbëdhjetë mijë shqiptarë ishin lejuar të kalonin në veri të Danubit, në vitin 1595.” Përmendet Calineshti në kontenë Prahova, si njëri ndër fshatrat, ku u vendosën shqiptarët. Për shpërnguljen e shqiptarëve në drejtim të territoreve rumune ka edhe dokumenta. Kështu në një dokument të princit Simion Movila u jepet e drejta shqiptarëve të qëndrojnë në ato vende ku ishin vendosur. Komuniteti shqiptar u shtua me kalimin e viteve. Ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë shtesë duhet të theksojmë sundimin e katërmbëdhjetë princëve shqiptarë nga familjet e njohura të Lupuve, Gjikëve dhe Dukëve. Po ku u vendosën shqiptarët dhe me çfarë merreshin ata? Shqiptarët u vendosën kryesisht në qytetet e Vllahisë e të Moldavisë dhe u morën kryesisht me tregëti. Dhe të dalluar për besnikëri dhe shpirt luftarak, shërbyen edhe në gardat princërore të dy principatave. Ndërkohë që shumë të tjerë, që nuk e gjenin veten në territoret e Perandorisë Osmane u laqrguan në drejtim të principatave danubiane për një jetë më të mirë. Në një dokument të vitit 1820 tregohet se 90 tregëtarë të Arnautkojt, lagjes shqiptare të Stambollit gjendeshin në Bukuresht. Nuk dihet se kur shqiptarët patën numrin më të madh në territoret rumune. Dokumentohet se në vitin 1893, komuniteti shqiptar në Rumani kishte rreth 30 mijë persona. Por në vitet që pasuan ky numër ulet. Kështu më 1920 emigracioni shqiptar i regjistruar llogaritet në 20 mijë vetë, pavarësisht se një valë e re emigrantësh shqiptarë nga Kosova u vendosën në Rumani në prag të shpërthimit të Luftës I Botërore. Kjo mospërputhje e shifrave me realitetin ndodhi për shkak të politikës asimiluese që u ndoç për vite me radhë ndaj tyre dhe që vazhdoi deri në vitin 1989. Me vendosjen e demokracisë shteti rumun u ka njohur të gjitha pakicave etnike, përfshirë dhe shqiptarëve, të drejtat e tyre kombëtare. Në kuadër të klimës së re demokratike të krijuar në vend është krijuar më 30 qershor të vitit 1999 Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë, e cila përfaqëson interesat e shqiptarëve në Rumani dhe sipas ligjit rumun ka një vend të garantuar në Dhomën e Deputetëve të Rumanisë, duke bërë që në Parlamentin e Rumanisë, duke filluar nga viti 2000 e këtej të ketë edhe një deputet shqiptar. Pa viteve nëntëdhjeët, në drejtim të Rumanisë kanë emigruar shqiptarë të tjerë, kryesisht ata që kanë pasur të afërmit e tyre atje.



