-Tropojë, më 7 prill 1941-
Zeqir Halili i Berishës, përndryshe: mixha (axha) i Sali Berishës, ka qënë një burrë i njoftun në Veriun e Shqipërisë, si i thonë shprehjes së atëherit: “Nga Shkodra në Shkup”. Ka hy’ në kangë. Ka mbet në histori.
Zeqir Halil Berisha ishte trim. Nji “Trim Malësie”. Tri herë i varruem nga plumbat. Edhe në kambë. Edhe në gjoks. Plagët si “dekorata” trimërie. Shumë burra të Kullës Berisha kanë marrë plagë në luftëra. Ndër ta, edhe gjyshi i tij, Isuf Rexhë Alia, i plagosur në Gjakovë në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E thotë kanga popullore: – Kush qet pushkë midis Çarshisë / Dy bijtë e Rexhë Alisë…/. Edhe nipi i tij, Ahmet Xhemë Berisha, tashma në moshë të thyer, mban plagë në trup, i plagosun në Dibër, në kohën e Luftës Partizane, gjatë detyrës misionare si korier i Shtabit të Divizionit V-S.
Gjashtë vite ma herët i pata shkrue do’ vargje për Zeqir Halilin e Berishajve, për Kullën e Berishajve në histori e me histori, pasi në trollin, dyert e sofrën e të cilëve janë mikëpritur personalitete të shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri te Lufta ma e fundit e Kosovës: -Te kjo kullë shkoi Pashko Vaso plot krenari / Me vargjet: “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” /… / Kjo kullë priti Ahmet Beg Koronicën…/ Aty ndejtën Shota me Azem Galicën / Hasan Beg Prishtina u prit si burrë shteti / Aty ndejti Ramush Hajredini e Ali Ahmeti /”.
Zeqir Halil Berisha ishte dhe pasunik. Kulla e Berishajve i kishte pronë të vetën nji han me 13 dhoma, tri dugaja, banin tregti ndër vise kah rrugëton Drini, Vardari e Limi. Ai e kishte zotshpillekun. Ishte ma i madh se i vllai, Ram Halil Berisha, baba i Sali Berishës, dhe se djemtë e dy mixhëve të tij. Ky Zeqiri ishte “Zotni” në rininë e pleqninë e tij. Zotni nga pamja, fjala, sjellja, ecja… Ky zotnillek i dukej dhe në kalërimet e tij, pasi e kishte një kali shale (atki) fort të mirë, të mbajtun mirë, mjaft i bukur, i thirrun “Dori”, të cilin edhe në “Vjetin e Rracionit” e ushqente me “rriska sheqeri austriaku”. Ai ishte një tjetër “Orë e Trollit” të Berishajve. Ishte njeri bujar për të vetët, për vrritarët e bjeshktarët, për udhëtarët.



