Lufta është fshesa më e pamëshirë për njerëzimin! Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga Lufta në Kosovë, populli që ka kaluar rrugës së këtij tmerri, në mbamendjen e tij, ende i ka të freskëta vrragët e kujtimeve të trishta të saj. Këtë më së miri e tregon libri “Krimet serbe në Kosovë (Rasti i Deçanit)”, i autorit, Adem Lushaj. Autori në këtë libër, me një kujdes të veçantë ka përfshirë mbi 200 dëshmi, të cilat janë marrë drejtpërdrejtë nga qytetarët, menjëherë pas përfundimit të luftës. Dëshmitë e paraqitura në këtë libër, janë të periudhës kohore janar-qershor 1999. Kur ta lexoni tekstin, do ta kuptoni pse autori e ka parë të ngutshme që t’i bëjë sa më parë të ditura krimet e kësaj periudhe kohore për opinionin, sidomos atë ndërkombëtar. Ju mund të pyesni, pse autori bëri kapërcimin e periudhës kohore të luftës 1998? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta gjeni të dokumentuar në librin pasardhës të tij!
Libri “Krimet serbe në Kosovë (Rasti i Deçanit)”, është një libër i llojit të veçantë, në të cilin është derdhur ndjenja e thellë e dhimbjes, revoltës dhe frikës së tmerrit nga banorët e komunës së Deçani dhe të Junikut. Autori i librit i cili ka kompetencë publicistike, përvojë dhe njohuri të veçanta për ngjarjet e publikuara dhe njëkohësisht si akterë i hulumtimit të krimeve së bashku me vendorë dhe ndërkombëtarë, ka pasqyruar saktë krimet serbe në komunën e Deçanit. Hartuesii kësaj vepre me vlerë për kujtesën tonë historike, ka dhënë dëshmi të shumta për krimet e ndodhura në shumë fshatra të Komunës së Deçanit, si në: Irzniq, Beleg, Drenoc, Strellc, Dubovik, Isniq, Broliq, Llukë, Kodrali, Shaptej, Dubravë, Lloçan, Maznik, Ratish, Prapaçan, Dashinoc, Lumbardh, Prekolluk, Junik, Pobergj, etj. Secila dëshmi ngërthen në vete një histori tmerri të një lufte krejtësisht të pabarabartë dhe të padrejtë. Duke e lexuar këtë libër, ata që e kanë përjetuar luftën, kujtesa e tyre do të kthehet në retrospektivë, edhe më e gjallëruar se në vet kohën e përjetimeve të saj. Ndërsa, gjenerata e pasluftës, në momentin kur të mishërohen me këto rrëfime, kthjelltësia e pikëpamjeve të tyre do të jetë më e qartë për vendin. Perceptimi i tyre për rrugën e gjatë e të mundimshme, me plotë sakrifica për liri, do të jetë më i pranueshëm, më i kuptueshëm, kurse përpjekjet e tyre për shtet ndërtim, do të bëhen më të mëdha.
Në kapitujt e librit ka prezantuar në mënyrë të dokumentuar dhe argumentuar dëshmitë e dhëna për plaçkitjet, shkatërrimet e shtëpive, torturimet, plagosjet, burgosjet, vrasjet e deri te dhunimet.



