E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Ndryshime pozitive në statusin e emigrantit

Shënime gjatë një vizite në Greqi nga Frrok Vukaj – Akademia e Shkencave të Edukimit – Tiranë.

Pas vizitës së parë në ndërrimin e viteve 2012 – 2013 në disa fshatra e qytete të Greqisë përfshire Athinën e Akropolin , kjo është vizita e dytë. Më joshi e më mundësoi këtë vizitë shoku dhe miku im, baxhanaku Viktor Lika, i cili erdhi në Shqipëri bashkë me gruan dhe djalin për të festuar Pashkët Katolike. Këtë herë isha më i familjarizuar për ta zgjeruar rrethin e të njohurve dhe për t’u informuar më mirë me problemet e emigrantëve.

            Qysh në fillim të këtij shkrimi dua të pohoj me kënaqësi se përmirësimi i marrëdhënieve Shqipëri – Greqi ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin konkret të statusit së emigrantëve që janë të shumtë dhe me shtrirje gjeografike. Shqiptarët, sidomos familjarët, e kanë rritur kredibilitetin e besueshmërinë tek grekët. Gjithnjë e më shumë po integrohen në jetën ekonomike – shoqërore. Të dy palët e kanë kuptuar se mund të rritin sukseset nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë e respektin ndaj njëri – tjetrit. Kjo është një vlerë e shtuar e me interesa të ndërsjella. Urat e komunikimit kanë ardhur duke u forcuar pas shumë luhatjesh e paragjykimesh. Përfitimet e dyanshme kanë qenë produktive për të dyja palët. Mund të thuhet pa frikë se ky partneritet solid është formësuar nëpërmjet punës ; kjo një dukuri e re. Kjo klimë pozitive është përcjellë deri në organet më të larta të qeverisë Greke e cila ka sjellë refleksione të drejta e pozitive. Tashmë janë krijuar lehtësira për pajisjen e emigrantëve me pasaporta e leje qëndrimi. Këto lehtësira kanë joshur dhe rikthyer shumë emigrant që kishin humbur këtë status.

       Nuk ekziston më ajo gjendje e frikshme e poshtëruese e viteve të fillimit … Pothuajse të gjithë e ndjejnë veten të qetë e dinjitar, enden cep më cep pa ndrojtje e ngurrim. Kjo është domethënëse e tregon shumë në këtë realitet krejt të ri e me të drejta afërsisht 100% të barabarta me vendasit.

            Problemi i njohjes së vjetërsisë në punë e i pensioneve është në rrugën e zgjidhjes, drejt finalizimit. Jeta social – ekonomike ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit ndonëse me sakrifica. Emigrantët me letra prej 5 vitesh përfitojnë përkrahje sociale dhe bonuse njëlloj si vendasit, kur kanë të ardhura të pakta. Këta familjarë marrin mesatarisht 200 – 300 euro në muaj, gjysma e tyre ushqime e pjesa tjetër u kreditohet në bankë. Në rast papunësia kjo shumë arrin deri ne 500 euro, madje u kompensohet me 70% energjia elektrike. Shërbimi mjekësor është falas dhe shteti përballon vlera monetare të konsiderueshme.

            Gjelosh Biçaku nga Lummardhi i Pukës me probleme shëndetësore na shpjegon me detaje e pasion për pagesat e paaftësisë, por edhe përballimin e shërbimit shëndetësor deri ne 100,000 euro për 1 person. Arsimi Para universitar është falas, bilës edhe librat e transporti nga fshatrat më të largëta për në shkolla. Në klasat e Ciklit të Ulët aplikohet edhe një vakt ushqimi falas. Nga këto lehtësira përfitojnë edhe nxënësit shqiptarë, por shumë prej tyre mezi e flasin gjuhën amtare. Krijimi i mundësive për hapjen e Shkollave Shqipe me mësim plotësues do të ishte një vlerë e shtuar e politikës greke, e njohur kjo edhe nga Konventat Ndërkombëtare. Për të arritur në përfundime sa më objektive, vizitat dhe kontaktet e mia këtë radhë ishin më të shumta e më të plota. Po veçoj disa prej tyre :

Në Ipad (ish komunë), Lutra, Likno, Laskuvi, Peristeri, Pirgu, Spehiolla – Makronomi, Lanios, fshatra të tjera për në Karpenis, Virgjini, Lamia, Volos, Selanik etj.  Festa e Pashkëve Ortodokse qe një rast i mirë për njohje të reja, vizita e miqësi.

Takova grekë e shqiptarë nga shumë krahina të Shqipërisë : Vangjel e Pandeli Koçollarin, Gjovalin e Gjelosh Biçakun, Sokol Memën, Baçi e Dhurata Hoxhën, Dhimitër e Violeta Dimojani etj. Të ngrohta e miqësie vizitat në familjet e Artur e Xhvahire Likes, Nikolin e Violeta Smajlit.

Për marrëdhënie qytetarie, për mikpritje e bujari, për punë të ndershme dhe ndjenja humane shquhej dhe familja e Viktë Likës. Pashkët Ortodokse i festonin me kurban e vizita edhe besimtarët katolik dhe mysliman.

Rritja e nivelit ekonomik është pasqyruar me ndryshime edhe në nivelin social – kulturë. Përveç bujqësisë kanë filluar punësimet edhe në industri, tregti, shëndetësi, arsim e sektor te tjerë, por më me pakicë. Besmir Lika vazhdon studimet në Athinë për gazetari, por paguhet edhe në një biznes privat. Silvana Lika ka mbaruar gjimnazin e punon me tregti, aspiron e përgatitet për studime universitare jashtë shtetit. Arbër Lika mekanik prej vitesh në një firmë private. Mund të numërosh e të shtosh edhe shumë emra të tjerë, por e ndjeva veten keq kur një kamerier rreth 20 vjeçare mezi fliste shqip (i lindur në Greqi).

Duhet të theksoj edhe njëherë krijimin e një klime pozitive mes grekëve e shqiptareve. Për model mund të përmendim familjen Lika e Vasilinikolos. Për këtë e të tjera kam folur edhe në një shkrim të botuar në disa media në janar të vitit 2013. Plaku Panajot ka ndërruar jetë para 2 vitesh. Asnjë ftohje nuk ndodhi midis këtyre 2 familjeve, pë miqësia vazhdon. I takuam në ditën e Pashkëve : çiftin Jani e Theodhora e vajzat , Eleni e Vasho, një familje intelektuale që jeton në Athinë. E motra e Janit, Karula e qeshur e komunikuese, është pedagoge në një Universitet me emër. Më bëri përshtypje ngrohtësia dhe sinqeriteti i tyre. Vasho, nxënëse në 9-vjeçare, dinte  4 gjuhë të huaja ; përqafonte Linën, gruan e Viktorit, si ta kishte nënë. Familja Lika, deri kur bleu një shtëpi 2 katesh, banoi në shtëpinë e grekut, tashmë e ri konstruktuar për bukuri. Favoret nuk kanë ndryshuar; administron për nevojat e veta pa ndonjë detyrim 7 hektar tokë e punon me zetorin e dhuruar para vitesh, por edhe këta janë mirënjohës ndaj familjes greke. Në shumë zona popullsia ka lëvizur drejt qyteteve ; shikuam fshatra e plot shtëpi pothuajse të braktisura. Kjo dukuri ka shtuar kërkesën për fuqi punëtore e shqiptaret janë më të preferuarit për punë, për administrator e mbikëqyrës të këtyre pronave. Grekët e vetmuar në fshatra përpiqen t’i punojnë tokat vetë e me ndihmën e fëmijëve e emigrantëve. Me gjithë luhatjet e tronditjet sociale vazhdon lidhja me trojet e pronat e të parëve. Ata të moshuar, të rënduar nga vitet, janë dëshmi e këtyre lidhjeve të zbehura vit pas viti, por jo në bujari. Në Laskuvo, Janis Maklara na dhuroi 6-7 kg raki e verë. Viktori kishte shumë të njohur dhe gëzonte respekt.

Ai më shpjegon se Theodhor Belkos, dikur ish-shoqërues i Kryeministrit Grek, i kishte dhuruar 150 litra verë me rastin e hyrjes në shtëpinë e re. Favorizuese për një  jetë më të mirë janë rrugët e asfaltuara deri në fshatin më të largët, ujët e pijshëm në çdo shtëpi madje dhe shumë çezma publike, platit (sheshe) pothuajse në çdo qendër fshati, ndriçimi publik i kënaqshëm, por edhe çmimet me tarifa të përballueshme për popullatën. Ne përfundim të këtij shkrimi dua të kujtoj vizitat e bukura në pikën turistike Karpenis e ato në Volos e Selanik. Në të parën më shoqëroj me makinë Silvana, ndërsa në të dytën Besmiri me tezen e kushërirën e tij, respektivisht Dila e Teuta. Motër e vëlla zotëronin mirë gjuhën greke, por nuk kishin harruar as shqipen, as rrethin familjar e shoqëror, as Shqipërinë. Vizitat e tyre në atdhe janë të përvitshme. Besmiri, si gazetar i ardhshëm, na shpjegon me pasion edhe për situatën e brishtë në rajon, për historinë, gjeografinë, problemet sociale e jetën e emigrantëve.

 Janë këto që thashë e të tjera që lidhin e miqësojnë popujt ; politika duhet t’i promovojë e forcojnë këto lidhje shekullore, duke zgjidhur me pjekuri e mirëkuptim reciprok disa probleme të mbetura pezull prej dekadash.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Diaspora