Duke nisur nga java e ardhshme në Gjermani do të jenë të detyrueshme testet për Coronën për udhëtarët që kthehen nga zona me rrezik.
Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se “do të urdhërojë testimin e detyrueshëm për Coronën për udhëtarët që vijnë në Gjermani nga zona me rrezik të lartë”. Kjo i shërben mbrojtjes së të gjithë qytetarëve. “Ne duhet të parandalojmë që udhëtarë që kthehen nga zona me rrezik të infektojnë pa u vënë re të tjerë dhe të shkaktojnë kështu zinxhirë të rinj infektimi,” tha politikani i CDU-së. Testet për udhëtarët do të jenë falas. Testimet e detyrueshme pritet të hyjnë në fuqi javën e ardhshme. Personat testi i të cilëve rezulton pozitiv, duhet të qëndrojnë për dy javë në karantinë.
Spahn njoftoi se testimi me detyrim bazohet në Ligjin për Mbrojtjen ndaj Infeksioneve dhe sipas konstatimit nga ana e Bundestagut në rastin e Coronës kemi një situate epidemike që ka përfshirë gjithë vendin. Për këtë shkak Ministria Federale e Shëndetësisë do t’i detyrojë udhëtarët që vijnë në Gjermani dhe që kanë qenë të ekspozuar ndaj një rreziku të shtuar infektimi që t’i nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor. Pas heqjes së masave kufizuese miliona gjermanë janë nisur sërish për pushime brenda dhe jashtë vendit.
Vendet e rrezikshme
Lista me vendet që konsiderohen si zona me rrezik të shtuar infeksioni përcaktohet nga qeveria federale gjermane dhe Instituti gjerman për Sëmundjet Infektive “Robert Koch” (RKI). Sipas ministrit federal të Shëndetësisë ndër këto vende bëjnë pjesë Turqia apo vendet e Ballkanit Perëndimor. Kriter qendror për këtë klasifikim është numri i të infektuarve rishtaz gjatë shtatë ditëve të kaluara për 100.000 banorë.



