Me shtrëngimin demonstrativisht të fuqishëm të duarve, Trump e Putin zhvilluan takimin e tyre dy orësh në Helsinki. Të dy presidentët kuptohen mirë, marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të këqija se kurrë më parë.
Pas më shumë se dy orë bisedimesh presidenti Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin përfunduan takimin e tyre në Helsinki. Dy burrat më të fuqishëm të botës u ulën për bisedime të zhvilluara kokë më kokë vetëm me praninë e përkthyesve, pas këtij takimi ishte planfikuar takimi i dy delegacioneve dhe një bisedë mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Pompeo dhe ministrit të Jashtëm rus Lavrov. “Një startim shumë i mirë” e vlerësoi presidenti Trump takimin me presidentin rus. Këtë deklaratë ai e bëri para fillimit të drekës së punës të delegacioneve.
Takimi Trump-Putin filloi me një orë vonesë, sepse presidenti rus mbërriti me vonesë në kryeqytetin finlandez. Para bisedimit kokë më kokë në pallatin e presidentit finlandez, të dy presidentët u përshëndetën para shtypit me një shtrëngim të shkurtër por demonstrativisht të fuqishëm të duarve. “Ka ardhur koha që të flasim në mënyrë të detajuar për marrëdhëniet tona bilaterale dhe për pikat e dhimbshme në botë. Dhe ato janë shumë”, tha presidenti Putin. Ndërsa presidenti Trump u shpreh para gazetarëve se “bota dëshiron që të kemi marrëdhënie të mirë.”



