Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua në Slloveni me udhëheqësit e këtij vendi. Takimet përfshinë mes të tjerash nënshkrimin e një deklaratë të përbashkët lidhur me teknologjinë 5G.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus tha se memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar të enjten në Slloveni njeh “rëndësinë kritike të sigurisë 5G – brenda NATO-s dhe BE-së”. Në një koment në Twitter ajo tha se “Sllovenia bashkohet me një komunitet në rritje të vendeve të përkushtuara për të mbrojtur sigurinë, privatësinë dhe pronën intelektuale të tyre.”
Gjatë vitit të kaluar vendet evropiane përfshirë Poloninë, Estoninë dhe Republikën Çeke kanë nënshkruar marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, me zotimin që furnizuesit e teknologjisë 5G nuk do t’i nënshtrohen kontrollit nga një qeveri e huaj pa një proces të pavarur gjyqësor, duke përjashtuar qartësisht firmat kineze.



