Administrata e Presidentit Joe Biden pezulloi të martën lejet për shpime për naftë e gaz në Rezervatin Kombëtar Natyror të Arktikut në Alaskë, çka ndryshon nga një program për shpime në këtë zonë, miratuar nga administrata e ish-presidentit Trump. Vendimi ka ringjallur përplasjet politike për një rajon të largët ku jetojnë arinjtë polarë e kafshë të tjera të egra, e të pasur me rezerva nafte.
Urdhri i Sekretares së Brendshme Deb Haaland pason një moratorium të përkohshëm mbi veprimtarinë kërkimore për naftë e gaz vendosur nga Presidenti Biden në ditën e tij të parë në detyrë. Urdhri ekzekutiv i zotit Biden më 20 janar, sugjeronte një rishikim të lejeve mjedisore si të nevojshëm për t’u dhënë zgjidhje të metave të mundshme ligjore të një programi shpimesh në këtë zone të miratuar nga administrata Trump sipas një ligji të vitit 2017 të miratuar në Kongres.
Pas kryerjes së rishikimit, agjencia tha se “identifikoi defekte në regjistrin themelor të vendimeve mbi lejet për shpime, përfshirë mungesën e analizës për një gamë të arsyeshme çështjesh të parashikuara nga Akti Kombëtar për Politikën Mjedisore, një ligj themelor mbi mjedisin.



