E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

SHBA dhe vendet baltike kundër rishkrimit të historisë nga Rusia

Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, duke kundërshtuar përpjekjet ruse për të rishkruar historinë.

Ky hap vjen pas një deklarate të Presidentit Vladimir Putin, i cili tha se vendet e Baltikut e pranuan vetë aneksimin nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, në një deklaratë të përbashkët me ministrat e jashtëm të tre vendeve baltike, shkruante: “Ne jemi të vendosur kundër çdo përpjekjeje të Rusisë për të rishkruar historinë dhe për të justifikuar pushtimin dhe aneksimin e vitit 1940 të shteteve baltike nga Bashkimi Sovjetik.”

Ky vit shënon 80 vjetorin e një deklarate të vitit 1940 të bërë nga sekretari i atëhershëm i shtetit, Sumner Welles, që dënonte aneksimin sovjetik të tre vendeve baltike.

Presidenti Putin tha muajin e kaluar se përfshirja e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë në Bashkimin Sovjetik “u realizua në bazë të një kontrate, me pëlqimin e autoriteteve të zgjedhura”. “Kjo ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe shtetëror të asaj kohe,” theksoi ai në një shkrim për revistën amerikane The National Interest.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë akuzuar Rusinë se po zhvillon një fushatë dezinformimi në përpjekje për të destabilizuar Perëndimin, duke shfrytëzuar ndarjet në shoqëritë e këtyre vendeve. Rusia e mohon se ndjek taktika të tilla.

Komisioni Evropian tha në janar se nuk do të tolerojë shtrembërimin e fakteve historike, pas deklaratave të Presidentit Putin se Polonia kishte përgjegjësinë e saj për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, pasi ajo bashkëpunoi fshehurazi me planet e Gjermanisë naziste në vitin 1938 për copëtimin e Çekosllovakisë.

Presidenti polak Andrzej Duda e akuzoi Presidentin Putin për “gënjeshtra historike”.

Në vitin 1989, gjatë periudhës së glasnostit ose hapjes, nën udhëheqësin sovjetik Mihail Gorbaçov, Moska denoncoi paktin e fshehtë sovjeto-nazist të vitit 1939 për të copëtuar Poloninë dhe shtetet baltike, gjë që i lejoi Bashkimit Sovjetik ta aneksonte këtë rajon.

Lituania, Estonia dhe Letonia e fituan pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në kohën kur ai po shpërbëhej dhe tani janë që të treja anëtare të BE-së dhe të NATO-s.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Bota