Forcat ruse vazhduan gjatë fundjavës të bombardojnë qytetet ukrainase mes një përpjekjeje agresive për të zgjeruar kontrollin e territorit në lindje të vendit. Zyrtarët ukrainas thonë se Moska po has vështirësi për të ndërmarrë një ofensivë në shkallë të gjerë në atë zonë.
Një person u vra dhe një tjetër u plagos të dielën në mëngjes nga bombardimet në Nikopol, një qytet në rajonin juglindor të Dnipropetrovskit, njoftoi guvernatori Serhii Lysak. Goditjet me granata dëmtuan katër ndërtesa banimi, një shkollë profesionale dhe një objekt për trajtimin e ujit.
Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, një person u plagos pasi tre raketa ruse S-300 goditën objektet e infrastrukturës gjatë natës, tha guvernatori rajonal Oleh Syniehubov. Ushtria ruse tha se kishte goditur fabrikën Malyshev në këtë qytet, ku sipas saj po montoheshin automjete të blinduara.



