Për herë të parë Italia, Franca, Gjermania dhe Malta kanë aktivizuar një marrëveshje për shpërndarjen e refugjatëve të shpëtuar në Mesdhe. Fjala është për 213 migrantë.
Tani është paraqitur kërkesa për aktivizimin e marrëveshjes së arritur në shtator në Maltë dhe të paraqitur më parë në Komisionin e Bashkimit Evropian, kumtoi Ministria e Jashtme e Italisë. “Kjo është hera e parë që ndodh një gjë gjë e tillë”, thuhet në Romë. Ministria e Brendshme e Italisë foli për një hap të rëndësishëm dhe vërtet solidar, për shpërndarjen e refugjatëve të ardhur përmes Mesdheut.
Kjo marrëveshje mundëson që 213 refugjatët e ardhur të shpërndahen në këto katër vende – Itali, Francë, Gjermani dhe Maltë. Njerëzit e shpëtuar ditët e fundit kanë ardhur me anijen “Ocean Viking”, ku edhe ende gjenden, për shkak se nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të mëparshme se ku duhet të shkojnë ata. Marrëveshja mundëson që refugjatët e zbarkuar në Mesina të Italisë, sipas marrëveshjes, të vazhdojnë rrugën në vendet e parashikuara.




