Organizatori i referendumit të pavarësisë katalanase, Carles Puigdemont, do të largohet të shtunën nga Gjermania për Bruksel. Po çfarë do të bëjë atje?
Në fjalën e tij para gazetarëve në Berlin në sallën ku zakonisht japin konferenca për shtyp ministrat apo kryeministrat, Carles Puigdemont nuk i kurseu lëvdatat për Gjermaninë, ku po qëndron që prej katër muajsh. Ai madje falenderoi edhe rojet e burgut në Neunmyster në Shlesvig, sepse ata e kishin trajtuar me respekt. Pas shpalljes së referendumit për pavarësinë e Katalonjës nga Spanja si antikushtetues, Puigdemont u largua për në Bruksel, më pas shkoi në Finlandë, pastaj në Danimarkë dhe në fund përfundoi në Gjermani, ku e arrestuan për shkak të urdhër-arrestit nga Spanja.
Pas konfliktesh të gjata ligjore midis Gjermanisë dhe Spanjës, Gjykata e Lartë Rajonale në Shlesvig në veri të Gjermanisë e lejoi ekstradimin e tij vetëm për dyshimin për shpërdorim fondesh. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për autoritetet spanjolle, të cilët dëshirojnë ta padisin Puigdemont për rebelim dhe në këto kushte Gjykata e Lartë e Madridit hoqi dorë nga ekstradimi. Me fjalë të tjera, për aq kohë sa Puigdemont nuk hyn në tokën spanjolle, ai është i sigurt nga ndjekja ligjore.



