Presidenti i SHBA Joe Biden do të presë në një takim Kancelaren gjermane Angela Merkel të enjten e ardhshme për të afirmuar lidhjet e thella dhe të qëndrueshme mes aleatëve të NATO-s duke trajtuar në të njëtën kohë disa mosmarrëveshje.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë sulmet kibernetike që kanë goditur kompanitë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën, si dhe tubacionin e gazit Nord Stream 2.
Psaki tha se do të ishte një vizitë zyrtare pune që synon nxitjen e partneritetit midis dy vendeve dhe identifikimin e mënyrave për të forcuar më tej bashkëpunimin. Kjo do të jetë vizita e parë e Merkel në Uashington që kur Biden mori detyrën në Janar. Merkel ka thënë se do të tërhiqet pas zgjedhjeve kombëtare gjermane në shtator.



