E mërkurë, 18 nëntor 2026

Rubrikat

Mbështet Limit.al

Marrëveshja e re tregtare SHBA-Meksikë-Kanada

Marrëveshja tregtare mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë që u bë e njohur dje, është menduar të zëvendësojë Marrëveshjen e Amerikanës Veriore për Tregtinë e Lirë, apo NAFTA, të vitit 1994, të cilën Presidenti amerikan Donald Trump e ka kritikuar, si të dëmshme për punonjësit amerikanë. Por përveç emrit, sa e ndryshme nga NAFTA është marrëveshja e re?

Donald Trump prej kohësh e ka quajtur NAFTA-n “marrëveshja tregtare më e keqe e arritur ndonjëherë”. Të hënën ai ndërmori hapin, për të hequr dorë prej saj.

“E kam për nder të njoftoj se kemi përfunduar me sukses negociatat për një marrëveshje, e cila i jep fund NAFTA-s dhe marrëveshjeve të saj tregtare, duke e zëvendësuar atë me një marrëveshje të re, të besueshme SHBA-Meksikë-Kanada, të quajtur USMCA,” – tha Presidenti.

Trump këmbënguli se marrëveshja e re nuk është thjesht një ripunim i NAFTA-s. Por sipas analistit Joshua Meltzer, ajo nuk është një përmbysje e plotë e saj.

“Nuk do të thoja që është një marrëveshje shumë e ndryshme. Do ta quaja një marrëveshje mbi 20-vjeçare të përmirësuar, e cila duhej rinovuar,”– tha analisti.

Meltzer thotë se negociatat u bënë më të lehta pjesërisht, ngaqë shumë prej marrëveshjeve ishin arritur gjatë negociatave për Partneritetin e Trans-Paqësorit, një marrëveshje për tregtinë e lirë, të cilën Trump gjithashtu e kishte hedhur poshtë.

Marrëveshja e re u siguron blegtorëve amerikanë një qasje më të mirë në tregun kanadez, një kërkesë kryesore kjo e zotit Trump.

Marrëveshja po ashtu kërkon që 75 për qind e pjesëve të ndërrimit të makinave të prodhohen në Amerikën Veriore. Ajo po ashtu ngre pagën minimale për punëtorët e kësaj industrie.

“Sigurisht, që shohim një shtim të protektonizimit në disa fusha, sidomos në industrinë e makinave. Por para së gjithash, kjo është një marrëveshje e përmirësuar, gjithëpërfshirëse dhe shumë e mirë për integrimin e ekonomive të të tre vendeve,”– thotë analisti Meltzer.

Ndoshta ky është një lajm i mirë për mbështetësit e tregtisë së lirë, të shqetësuar për qëndrimin e zotit Trump ndaj tregtisë. Në Shtetet e Bashkuara tregu i aksioneve shënoi rritje pas njoftimit të marrëveshjes.

Presidenti Trump tha se ai do ta nënshkruajë paktin e ri nga fundi i nëntorit. Por marrëveshja hyn në fuqi vetëm pasi ligjvënësit në të tre vendet ta miratojnë atë.

Të fundit

  1. Aktualitet

    Rekord në Ballkan/ 11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, kryesoisht në Itali e Gjermani
  2. Opinione

    Trazira në Europë, aty ku Perëndimi i trazuar takohet me Lindjen paqësore
  3. Aktualitet

    Prishtina shtrenjton parkimin, deri në 20 Euro për një ditë në qendër
  4. Aktualitet

    Shqipëria dhe Kosova forcojnë bashkëpunimin për shpëtimin në male
  5. Aktualitet

    Bota përballet me mungesë financimi prej 30 trilionë Eurosh

Më shumë nga Bota