Kryeministri britanik Boris Johnson thotë se nuk ka alternativë tjetër, përveçse të zhvillojë zgjedhje të reja pasi një grup ligjvënësish ia morën situatën nga duart zotit Johnson lidhur me Brexitin. Kryeministri u vu përballë këtij skenari, pasi një grup ligjvënësish sfiduan qëndrimin e tij për të përmbylluar daljen e Britanisë nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje. Ligjvënësit e opozitës pritet të paraqesin sot një mocion për të shtyrë datën e daljes nga BE-ja në mënyrë që të kenë më shumë kohë për të arritur një marrëveshje me Bashkimin mbi termat e shkëputjes. Kryeministri Johnson tha se zgjedhjet e reja ishin e vetmja rrugëdalje.
“Populli i këtij vendi do të duhet të zgjedhë, zoti kryetar. Udhëheqësi i opozitës është lutur për zgjedhje prej dy vjetësh. Turmat e përkrahësve të tij mblidhen para parlamentit duke bërë thirrje për zgjedhje. Unë e nuk dua zhvillimin e zgjedheve, por nëse anëtarët e parlamentit votojnë për të ndalur negociatat dhe për të na imponuar një vonesë tjetër të pakuptimtë për Brexitin, atëherë e vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë situatë janë zgjedhjet. Ne po paraqesim një mocion, zoti Kryetar,” tha kryeministri.
Me 328 vota pro dhe 301 kundër në Dhomën e Komuneve, ligjvënësit arritën të marrin në dorë situatën lidhur me Brexitin. Ky rezultat nënkupton se ligjvënësit mund të paraqesin një mocion të katërt për të vonuar përsëri daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe të bllokojnë planin e zotit Johnson për dalje pa marrëveshje.



