Zëvendëskryetari i qeverisë kineze duhej të vizitonte Uashingtonin për të biseduar mbi konfliktin tregtar mes dy vendeve. Por nga Pekini nuk vjen askush, vizita anulohet, atmosfera është e akullt.
Për shkak të doganave të reja ndëshkuese, Kina, sipas raportimeve në media, i ka ngrirë bisedimet tregtare me SHBA. Vizita e Liu He, zëvendëskryeministrit kinez e planifikuar për javën e ardhshme në Uashington është anuluar nga Pekini, shkruan gazeta njujorkeze „Wall Street Journal”. Edhe dërgimi i një delegacioni të nivelit të mesëm, që duhej të vinte para Liu është anuluar.
Nga qarqet qeveritare amerikane thuhet se nuk ka asnjë datë të përcaktuar për bisedime të reja. Por SHBA shprehen optimiste, se do të gjejnë një rrugë për të zgjidhur konfliktin tregtar me Kinën. Negociatat në Uashington të zhvilluara në mes të gushtit nuk sollën asnjë afrim. Trump ndërkohë kërcënoi sërish, se do të vendosë dogana të reja kundër Kinës.



