Një zyrtar i lartë kinez përgjegjës për mbikëqyrjen e Hong Kongut thotë se qendra financiare aziatike po përballet me “situatën më të rëndë” që nga koha kur Britania lëshoi kontrollin mbi ishullin në vitin 1997.
Në një konferencë për shtyp të mërkurën në Shenzhen, qytet në kufi me Hong Kongun, kreu i zyrës së qeverisë për çështjet e Hong Kongut dhe Makaos, Zhang Xiaoming, u tha qindra të pranishmëve se protestat gjithnjë e më të dhunshme po ndikojnë gjerësiht tek shoqëria e territorit kinez.
Në Hong Kong aktivitetet e përditshme kanë ndalur pas disa javë demonstratash masive në rrugë që nisën në muajin qershor duke marrë shkas nga qëndrimet kundër një projektligji që parashikonte ekstradimin për procese gjyqësore në Kinë. Projektligji u pezullua, por demonstratat kanë vazhduar dhe janë zgjeruar me thirrje për demokraci më të madhe.



