Ministrja gjermane e drejtësisë, Christine Lambrecht, (SPD), ka dalë me një propozim për heqjen e termit “racë” nga teksti i Kushtetutës. Por jo të gjithë janë të kënaqur me këtë zgjidhje.
Propozimi i ministres socialdemokrate, Christine Lambrecht, u bë i njohur të martën, 2.2.2021. Propozimi në formën e një drafti për diskutim për ndryshimin e ligjit parashikon heqjen e nocionit “racë” nga neni tre i Kushtetutës Gjermane, ku bëhet fjalë për diskriminimin. Aty thuhet. “Askush nuk lejohet që te favorizohet ose margjinalizohet për shkak të gjinisë, prejardhjes, racës, gjuhës, atdheut e origjinës, besimit, botëkuptimit individual fetar apo politik.”
Ministrja tani propozon që në vend të fjalës “racë” të vërë “për shkaqe raciste”. Heqja e fjalës “racë” ishte kërkuar edhe një vit më parë nga partia ekologjiste, Të Gjelbrit. Studime të ndryshme, si ai I bërë në vitin 2019 nga Universiteti i Jenas në Gjermani, arrijnë në përfundimin se raca është një nocion racist, e jo biologjik: Nocioni racë rrjedh nga racizmi dhe nuk është premisë e tij.
Në Gjermani ndjeshmëria për tema të tilla është e larte, edhe për shkak të së kaluarës naziste, ku në emër të ideologjive raciste u krye krimi më i madh kundër njerëzimit, ai i shfarosjes, kryesisht të hebrenjve, por edhe pakicave të tjera, si sinti dhe romët. Termi racë është në „thelb i kontaminuar”, tha para ca kohësh Hendrik Cremer, nga Instituti I Te drejtave të Njeriut në Berlin, në një intervistë për DW.



