Ministria gjermane e Shëndetësisë njoftoi të premten, se personave që fluturojnë në Gjermani do t’u kërkohet t’i nënshtrohen testimit të koronavirusit që nga e marta herët (30.03).
Më parë ishte vendosur, mesnata e së dielës, 28 mars, por kjo datë u shty për t’i dhënë kohë përgatitjeve, tha ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn në Berlin.
Udhëtarëve do t’u kërkohet të bëjnë një test COVID para nisjes, pavarësisht nga niveli i rrezikut të koronavirusit në vendin e tyre të origjinës. Linjat ajrore do të pranojnë në bord vetëm pasagjerë me dëshmi negative të testit COVID.
Rreptësimi i rregullave fillimisht mendohej të miratohej të premten. Sidoqoftë, zyrtarët e shëndetësisë thanë, se ata do t’i shtyjnë për ditën e dielë për t’u dhënë udhëtarëve dhe linjave ajrore kohë të përgatiten. Udhëtarët do të duhet ta paguajnë vetë testin.



