Debati i kahershëm për kufizimin e shpejtësisë në autostradat e Gjermanisë mund të marrë kthesë pas zgjedhjeve parlamentare: Numri i qytetarëve pro po rritet. Tifozët e shpejtësisë e quajnë limitmin si heqje lirie.
Sa herë që Gjermania ka një qeveri të re vendoset në rend të ditës debati për kufizimin e shpejtësisë në autostrada. Pas zgjedhjeve të fundit (26.09) ligjëvënësit sërish diskutojnë për këtë, pa marrë dot një vendim, sepse në Gjermani opinionet janë të ndara mbi këtë temë. Gjermania është i vetmi vend në Europë që nuk ka kufizim shpejtësie në shumë autostrada. Sektori gjerman i automjeteve dëshiron të ecë pa frena, por për shkak të ndryshimit të klimës pjesa më e madhe e qytetarëve duket se janë gjithnjë e më shumë pro kufizimit të shpejtësisë.
Ndonëse diskutimi për limitimin e shpejtësisë në autostrada vazhdon, në disa qytete po konkretizohet kufizimi i shpejtësisë në rrugët brenda qytetit në 30 km.
Një shembull është qyteti i Ahenit, ku me këtë kufizim jepet një sinjal për mbrojtjen e klimës. Këshilli i qytetit të Ahenit argumenton, se limiti 30 km në orë i vendosur për rrugët kryesore e bën qytetin më të sigurt, më të pastër dhe pro-klimës. Enti federal për Mjedisin e konfirmon përmirësimin e cilësisë së mjedisit nga ulja e shpejtësisë së automjeteve.




